Kamarieri dhe banakieri dëshmojnë për vrasjen në lokalin “Agoni” në Banullë të Lipjanit

26.12.2017 20:12:30
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vrasjen e vitit 2015, në lokalin “Agoni”, në fshatin Banullë të Lipjanit, kanë dhënë dëshmitë e tyre, Kastriot Gashi dhe Visar Salihu.

Të akuzuar për vrasjen e Urim Dushullofcit nga prokuroria janë Besnik dhe Bajram Bedrolli.

Dëshmitari Kastriot Gashi, i cili kishte punuar kamerier në këtë lokal, ka deklaruar se natën kritike, kur kishte filluar ndërrimin e tij, nga ora 21:00, kishte pasur thyerje të gotave nga mysafirët.

Ai ka deklaruar se më pas e kishte parë edhe të akuzuarin Bajram Bedrollin që kishte shkuar që t’ua tërheqë vërejtjen mysafirëve që kishin thyer gotat.

Gashi ka thënë se nuk ka dijeni se çka ka biseduar me personat e ulur në atë tavolinë Bajram Bedrolli, por që ka shtuar se ata së bashku me tani të akuzuarin, kishin dal jashtë lokalit.

Pasi që kanë dal jashtë, Gashi ka thënë të ketë dëgjuar disa krisma, nga të cilat edhe klientët  e tjerë në lokal, kishin filluar të dalin jashtë, si pasojë e situatës së krijuar.

Ai ka shtuar se kur ka dal jashtë lokalit, e ka parë një person të shtrirë tek dera e hyrjes.

Kurse, dëshmitari Visar Salihu, i cili kishte punuar ai banakier në lokalin “Agoni”, ka deklaruar se pasi kishte filluar punën nga ora 21:00, më vonë kishte parë që disa klientë kishin thyer disa gota dhe shishe, pasi që kishte filluar muzika.

Dëshmitari Salihu, ka thënë se i akuzuari Bajram Bedrolli, e kishte dërguar kamerierin Driton Bytyqi disa herë t’ua tërheq vërejtjen mysafirëve që ishin ulur në tavolinën ku ishin thyer gotat dhe shishet.

Visar Salihu, deklaroi se i akuzuari Bajram Bedrolli kishte shkuar një herë edhe vetë që të u tërheq vërejtjen mysafirëve që thyenin gotat.

Sipas aktakuzës, Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, rreth orës 02:00, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci.

Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullvocit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Ndryshe, Besnik dhe Bajram Bedrolli akuzohen nga prokuroria edhe për armëmbajtje pa leje.