Kandidati i LDK- së, Arban Abrashi ‘godet’ Shpend Ahmetin: I ka diskriminuar të rinjtë

24.09.2017 12:07:29

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të shtunën në Besi se “kryetari në ikje i Prishtinës, Shpend Ahmeti” i ka diskriminuar të rinjtë dhe kuadrot e Prishtinës në punësim.

“Prioritet i lartë i yni është punësimi i të rinjve. Ne mendojmë se janë diskriminuar të rinjtë dhe kuadrot e reja të Prishtinës nga Shpend Ahmeti dhe qeverisja komunale. Janë punësuar njerëz nga gjithkah, të cilët nuk i dinë as vendet dhe as nevojat e qytetit. Unë do ta ndryshojë këtë fakt dhe qytetari i Prishtinës do të ketë prioritet në punësim”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se do t’i ndihmojnë punëkërkuesit, duke qenë komuna e parë që do të ketë Fondin e Punësimit prej 1 milion euro fillimisht, për ato kategori që e kanë të vështirë të gjejnë vende pune.

“Ne do ta rrisim përqindjen e punësimit të të rinjve dhe grave, por edhe të moshuarit që kanë humbur vendet e punës dhe nuk po munden depërtojnë në tregun e punës”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.