Kastrati arsyeton vendimin për mbylljen e shkollave në komunën e Kamenicës

14.07.2019 23:13:03

Me vendim të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, 19 shkolla pritet të mbyllen në këtë komunë.

Nëntëmbëdhjetë shkolla pritet të mbyllen në Komunën e Kamenicës në muajin shtator, vendim ky i kryetari,t Qëndron Kastrati.

Në lidhje me këtë vendim përmes një letre drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, i është drejtuar kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, Selver Lenjani.

Lenojani në këtë letër ka paralajmëruar edhe për protesta masive nëse nuk ndërmerret diçka, shkruan lajmi.net.

Ndërsa, ishte shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ai që e publikoi këtë letër, derisa e quajti qasje arbitrare vendimin e Kastratit, duke mbyllur shkolla pa dakordim me komunitetin.

Por, i pari i Kamenicës përmes një shkrimi, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka dhënë arsyet e tij që quan deri tek vendim, derisa iu është kundërpërgjigjur Hotit duke e ftuar atë të shkoi të vizitojë shkollat në komunën e tij, për të parë gjendjen e këtyre institucioneve.

Postimi i plotë i Kastratit pa ndërhyrje:

Nëse vërtetë është i shqetësuar z. Hoti, e ftojmë të vijë në Komunën e Kamenicës dhe të vizitojë shkollën me tre nxënës në Gjyrishec, apo Sedllar me një nxënës.

Apo 37% të shkollave të Kamenicës që nuk kanë mjedis higjienik. Tridhjetë e shtatë përqind. Jo 5 përqind. Jo 10. Gati gjysma e shkollave në Komunën e Kamenicës nuk kanë as mjedis higjienik. Lista e problemeve në shkolla është e gjatë. Dhe është nxënësi i Kamenicës që po përballet me këto probleme.

Arbitrar nuk jemi ne z. Hoti, por është Udhëzimi i MASHT-it për Planifikimin e Investimeve Kapitale, përkatësisht neni 3, pika 2 dhe nënpikat e tij, që e pamundëson planifikimin dhe renovimin e shkollave fillore dhe të mesme me më pak se 210 nxënës, e paraleleve të ndara me më pak se 84 nxënës.

Arbitrare ka qenë indiferenca e pushteteve që nga paslufta, e që një pjesë të madhe ka qenë edhe partia juaj, për të vepruar në këtë drejtim. Andaj, nëse vërtetë jeni i shqetësuar, ejani shiheni vet dhe do të bindeni.