Kastrati – Shpend Ahmetit: Ricopëtimi i territoreve shqiptare nuk është bashkim kombëtar

16.10.2016 20:35:25

Paskan shkuar në Bruksel, pra në kryeqytetin e BE-së dhe të NATO-s ndaj të cilëve nuk kanë shumë dashamirësi. Por Brukseli është edhe kryeqyteti në të cilin  Boris Tadiq para 5 vitesh ishte shprehur për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar në bazë të një marrëveshjeje historike ndërmjet  Beogradit dhe Tiranës. Pikëpamjen e tij e kishte qartësuar në një intervistë për FAZ, ku kishte thënë se nuk do të ishte kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë me kusht që edhe Serbia të marrë një pjesë të saj. Dallimi ishte se  Boris Tadiq kishte shkuar si president i Serbisë dhe në vizitë zyrtare në BE, kurse Albin Kurti, Visar Ymeri e Shpend Ahmeti kanë shkuar privatisht dhe për t’u takuar me shqiptarë. Albini kish kërkuar para, kurse Shpendi kish folur për bashkimin kombëtar. Dhe është sinjifikativ fakti se në Bruksel, Shpendi kishte folur për të njëjtën platfomë: bashkimin kombëtar që Albini synon ta bëjë me referndum. Dhe kjo i bie e njëjta platformë si e Boris Tadiqit: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por që edhe Serbia ta marrë një pjesë të saj. Është kështu se, siç kam thënë vazhdimisht, për t’u mbajtur referndumi duhet të bëhen ndryshime kushtetuese për të hequr pikën 3 të nenit të parë të kushtetutës që ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet apo ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër, e që sipas nenit 144 të kushtetutës nuk bëhet pa votat e serbëve dhe të pakicave të tjera. Kështu, serbët do kërkojnë paralelizëm: që edhe ata të votojnë për bashkim me Serbinë. Për ta bërë këtë, do të duhet që sekta okulte e Albinit të fitojë zgjedhjet dhe të bëjë koalicion me listën “Srpska” dhe me një fraksion të LDK-së, siç thoshte Dardan Molliqaj, dhe të mund t’i bënte ndryshimet përkatëse kushtetuese. Mirëpo, kjo është vetëm situatë hipotetike dhe që nuk ka gjasë të ndodhë, sepse është shumë e vështirë të ndodhë që të fitojë zgjedhjet sekta okulte e Albinit, dhe ka pak, për të mos thënë se nuk ka gjasa që LDK të bëhet fraksion, apo të ndahet në frakaione. Dhe meqë në mënyrë legale dhe institucionale nuk mund të realizojë projektin e ndarjes së Kosovës në emër të bashkimit kombëtar, është munduar dhe po mundohet ta bëjë në mënyrë jolegale dhe duke u munduar të shembë institucionet. Por meqë edhe kjo nuk doli me sukses, atëherë hajde luftë. Dhe aty pastaj përzihet gjithkush, si në Mal të Zi. Pra, bashkimi kombëtar që e përmendi Shpendi në  Bruksel do të thotë vetëm ripërsëritje e asaj që ka thënë Boris Tadiq. Mirëpo, ricopëtimi i territoreve shqiptare nuk është bashkim kombëtar. Bashkim kombëtar është bashkimi i kombit pa humburr territore, por duke i bashkuar edhe ato. E kjo mund të bëhet vetëm në bazë të filozofisë politike të presidentit Rugova, dhe këtë proces mund dhe do ta udhëheqë LDK.