Katër muaj mospunë të Kuvendit!

25.11.2017 15:04:38

Mospuna dhe numri i vogël i seancave e kanë dominuar legjislaturën e Kuvendit e cila doli nga zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti.

Kjo bëri që edhe gjatë ditës së djeshme, ambasadori i amerikës në Kosovë Greg Delawie të reagojë ashpër. Ai kërkoi që puna e Kuvendit të Kosovës të mos ndërprehet për asnjë moment.

Ambasadori u ka bërë thirrje deputetëve që të përqendrohen në punët urgjente që e presin Kosovën.

Por sa seanca janë mbajtur nga fillimi i punës së legjislaturës së re të Kuvendit, që doli nga zgjedhjet e 11 qershorit?!

Betimi i përfaqësuesve të rinj të popullit u bë më 3 gusht, kurse deri më tani përkundër shumë projektligjeve që janë në pritje, numri i seancave plenare të mbajtura lë për të dëshiruar, shkruan lajmi.net

Një muaj pas konstituimit, më saktë më 7 shtator Kadri Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit, për t’i lënë radhën pas dy ditëve votimit të qeverisë.

Më 9 shtator, Haradinaj u votua si kryeministër i Kosovës dhe u formua qeveria e re.

Një ditë më vonë, me kërkesën e deputetëve të opozitës u thirr një seancë për të diskutuar programin e qeverisë së re. Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e pozitës, kurse për disa minuta debati u zhvillua vetëm me përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së.

Edhe pse u paralajmërua se ky debat do të vazhdojë një gjë e tillë nuk ndodhi.

U deshën gati një muaj për tu mbajtur një seancë plenare në Kuvend.

Formimi i Komisioneve Parlamentare dhe Interpelanca e kryeministrit Haradinaj për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalon bëri që deputetët të mblidhen më 3 tetor.

Pas një debati “të lodhshëm” gjithëditor, opozita nuk pati numrin e mjaftueshëm për të votuar propozimet e LDK-së për mocion.

Menëjherë të nesërmen, më 4 tetor Kuvendi i Kosovës u mblodh shkurt për ta miratuar marrëveshjen IPA ndërmjet Kosovës me Bashkimin Evropian, që u miratua me shumicë të votave.

Zgjedhjet lokale që u caktuan më 22 tetor, bënë që deputetët të marrin edhe një “pauzë” nga puna në legjislativ.

Tek pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve, edhe deputetët u mblodhën.

Kjo ndodhi më 25 tetor, ku si pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2017.

Debati ishte shumë i gjatë, kurse votimi për këtë projektligj u la të votohet të nesërmen.

Me shumicë të votave, projektligji për buxhetin u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Për buxhetin, Kuvendit iu dasht të mblidhej edhe më 31 tetor ku u bë shqyrtimi i dytë i buxhetit për vitn 2017.

Që atëherë, legjislativi përsëri ka shkuar në një pushim.

Pra po bëhen një muaj që kur Kuvendi nuk ka mbajtur një seancë të rregullt.

Një gjë e tillë dështoi të ndodhë të enjten ku PDK me partne të koalicionit lëshoi sallën si shenjë proteste për akuzat ndaj EULEX-it.

Kurse dje, të njejtën gjë e bënë deputetët e LDK-së duke shkaktuar shtyerjen e seancës për të mërkurën e javës së ardhshme në mungesë të kuorumit.

Pra, që nga betimi i deputetëve deri më tani, numri i seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës nuk arrinë më shumë se pesë.

Përkundër kësaj, pagat e deputetëve për asnjë moment nuk janë ndalur.