Katër sinjale pozitive nga Kosova, nga të cilat duhet të mësojë Shqipëria!

14.05.2017 20:51:36

Janë “tanët”. Ashtu si ne kanë probleme me mirëqeverisjen, korrupsionin, liderit “e fortë”, klanet e fiset politike; biznesmenët në politikë, median e blerë, propagandën e madhe, militantizmin partiak, riciklimin e figurave dhe nivelin kritik te demokracise brenda partive. Ne citojmë për mirë modele perëndimore, por ndonjëherë duhet të hedhim sytë e të reflektojmë edhe kur shohim gjëra pozitive “brenda nesh”. Kosova na ofron një praktikë referimi, të paktën në katër momente:

E para: Brenda tri vitesh Kosova rrëzon dy qeveri me dy format e mocionit kushtetues: me mocion besimi (2014) dhe me mocion mosbesimi (2017). Natyrisht, janë pasojë e skemave taktike paraelektorale, por janë legjitime, u përdorën dhe rezultuan të suksesshme. Shqipëria, përveç një praktike gjysmake mocioni më 1936 nuk ka arritur asnjëherë të ndryshojë qeveri përmes institucionit të mocionit kushtetues. Kosova ka rrëzuar edhe presidentin që ruajti rol partiak, ndërkohë që tek ne edhe presidenti i ri drejton fushatën e ish partisë së tij në zgjedhje!

E dyta: Kryeministri i rrëzuar me mocion, Isa Mustafa (LDK), bëhet i pari kryetar partie kryesore që heq dorë nga rikandidimi për kryeministër dhe sugjeron zgjedhjen e një emri tjetër kandidimi nga partia që ai drejton. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, tek asnjë parti. Madje, ne e kemi bërë me statut se shefi i partisë është automatikisht edhe kandidat për kryeministër, si dhe anasjelltas – kur shefi i partisë bëhet kryeministër, ai nuk votohet në parti se është automatikisht dhe pa afat në post.

E treta: Legjislacioni në Kosovë është liberal për krijimin e partive politike dhe konkurrimit në zgjedhje. Qytetarët e Kosovës zgjedhin vetë deputetin (me sistemin e listave të hapura), stimulojnë krijimin e partive të reja politike (rrit konkurrencën në sistem), kryetari i KQZ-së është gjykatës kushtetues (rrit pavarësinë e tij), si dhe praktikon votimin e emigrantëve/diasporës – tri cilësi që nuk i kemi ende në Shqipëri.

E katërta: Pas mocionit palët ranë dakord për fushatën, datën dhe detajet e organizimit. Gjithçka brenda 30 ditësh. Kurse, në Tiranë kemi katër vjet që diskutojmë për datën dhe zgjedhjet e radhës, por rreth 35 ditë përpara zgjedhjeve ende nuk jemi të bindur se do të ketë zgjedhje.