Qeveria 3.2 milionë Euro shpenzime për të blerë makina gjatë 2 viteve

13.11.2016 18:33:19

Ndonëse qeveria vijon të jetë e shtrënguar në shpenzimet publike edhe për vitin e ardhshëm, nuk e ka kursyer dorën për të pajisur me automjete të reja 11 institucione. Sipas të dhënave të ministrisë së Financave, për buxhetin afatmesëm, janë parashikuar të shpenzohen nga fondet publike 3,2 milionë euro për blerje makinash, pjesa më e madhe e këtij fondi do të shpenzohet vetëm për 2017-ën.

Kështu për Kuvendin, qeveria ka kaluar një fond prej 280 mijë eurosh për blerje autoveturash, ku për 2017-ën janë parashikuar për këtë zë 100 mijë euro, ndërkohë që deri në 2019, do të shpenzohen për blerje makinash nga Kuvendi edhe 180 mijë euro të tjera.

Institucioni që zë pjesën më të madhe të fondit të parashikuar për automjete, në projektbuxhetin afatmesëm, është Prokuroria e Përgjithshme me 46 milionë lekë. Fonde publike për blerje makinash të reja kanë kaluar për këtë periudhë edhe për presidencën dhe disa ministri, si ajo e Transporteve, e Mirëqënies sociale dhe Energjisë.

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2017 është planifikuar të arrijë 467.5 miliardë lekë, por ajo që bie në sy është parashikimi nën objektiv i investimeve publike, në masën 5%.

*BUXHETI 2017-2019*

Shpenzime per Blerje makinash

Institucionet Fondi

-Prokuroria e Përgjithshme 46,000,000 lekë

-Kuvendi 36,000,000 lekë

– Gjykatat 36,000,000 lekë

-Ministria e Mirëqënies sociale 30,000,000 lekë

-Ministria e Transporteve 10,000,000 lekë

-ILDKP 10,000,000 lekë