Shqipëri/ Hasa s’del nga salla, Ruçi bën lapsus: Të zbatohet vendimi i Byrosë së Partisë!

20.12.2018 13:55:10

Pavarësisht se Byroja e Kuvendit vendosi të përjashtojë me 10 ditë deputetin e PD, Endri Hasa, i cili qëlloi me vezë kryeministrin Edi Rama, ligjvënësi i qarkut të Elbasanit nuk ka pranuar të zbatojë vendimin për lirimin e sallës së seancave plenare.

Pas rinisjes së seancës, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar disa herës Hasës që të largohet nga seanca, por deputeti nuk i është bindur urdhrit duke shkaktuar sërish debate në sallë.

Ndërkohë ka pasur edhe të qeshura e duartrokitje nga deputetët e opozitës, pasi kryeparlamentari Ruçi ka rikujtuar me një lapsus kohët e tij në Partinë Komuniste duke e ngatërruar Byronë e Kuvendit me Byronë e Partisë.

“Zoti Hasa liro sallën. Liro sallën. Kryetari i grupit nxirre deputetin jashtë. Do të ta jap fjalën menjëherë sapo deputeti të lirojë sallën në zbatim të vendimit të Byrosë së Partisë…Byrosë së Kuvendit. (Në sallë duartrokitet dhe ka të qeshura)”, tha kreu i Kuvendit.

Më pas Ruçi ju drejtua kreut të Grupit të PD, Edmond Spaho, duke thënë: “Zoti kryetar i grupit kontribuo për të zbatuar vendimin për të liruar sallën dhe për të mos ta mbajtur peng deputeti i grupit tënd deputeti Hasa. Procedura do të vazhdojë kur deputeti të lirojë sallën. Peng seancën nuk mund ta mbajë një deputet dhe as një grup parlamentar”.