Ndahen çmimet për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, kërkohet më shumë angazhim

20.12.2018 14:08:55

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, në bashkëpunim me forumZFD dhe Qendrën për Arsim të Kosovës-KEC, përmes projekteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian kanë ndarë çmimet vjetore për gazetari në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve.

Me këtë rast, drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi, është shprehur se të gjitha sukseset që i kanë arritur në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve një rol shumë të madh e kanë pasur edhe mediat.

Ajo ka deklaruar se pa përkrahjen e mediave nuk do të ishte e mundur që të kenë rezultate dhe suksese që i kanë arritur si koalicion për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

“Dihet që gjithmonë kemi pasur në krahë aleat shumë të fortë, mediat në Kosovë gazetarët dhe jemi munduar që gjithmonë t’i trajtojmë çështjet bashkërisht, çështjet  e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. E them me shumë bindje që pa përkrahjen e mediave nuk do të kishim rezultatet dhe sukseset të cilat i kemi arritur si koalicion deri më tani. Në të gjitha këto ngjarje të cilat ndodhin në Kosovë, qofshin politike apo të tjera është vërtet sfidë që të raportohet për fushën sociale”, tha ajo.

Kurse, zëvendësshefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Libor Chlad, ka thënë se për ta është kënaqësi që kanë mbështetur mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

“Të punojmë për përmirësimin e kushteve për fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Kemi një instrument që është indeksi për mbrojtjen e fëmijëve dhe është zbuluar se ka shumë vend për përmirësim. Por, nuk kemi nevojë të shkojmë aq larg sepse disa probleme i shohin çdo ditë në rrugët e Prishtinës, në këtë aspekt është me rëndësi që kemi gazetarë që i përmendin problemet, që shkruajnë për to dhe që i vendosin në agjenda në mënyrë që të fillohet një debat në shoqëri”, tha ai.

Ndërkaq, avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se shpesh herë problemet që kanë të bëjnë më fëmijët po mbesin jashtë agjendave dhe se nuk u kushtohet vëmendje e duhur.

Ai ka treguar një rast kur për ditën ndërkombëtare të fëmijëve në zyrën e tij kishte pritur fëmijë të shkollave të Kosovës, dhe një vajzë i kishte thënë që në shoqërinë kosovare ka humbur ndjenja e solidaritetit.

“Njëra prej pjesëmarrësve në klasën e 6 të shkollës fillore ngriti dorën dhe më tha avokat a mund të them unë diçka, më tha avokat unë mendoj që shoqëria jonë ka një problem shumë të madh sepse e ka humbur ndjenja e solidaritetit dhe në të njëjtën kohë mendoj që kemi shumë problem sepse është rritur shumë egoizmi në shoqërinë tonë. Unë për vetën time, jo si Avokat i Popullit po edhe si person nuk kisha mundur as me e heq një germë e as me e shtua një më tepër në vlerësimin që ajo e tha për  vlerat e shoqërisë sonë. Kur një fëmijë jep vlerësime të tilla mendoj që edhe ne që jemi të rritur do të duhet ta marrim me shumë seriozitet dhe me shqetësim shumë të madh një vlerësim të tillë që vije nga fëmijët. Mendoj gjithashtu se nuk po u jepet vëmendje e duhur për shkak të shumë dinamikave që na kaplojnë”, tha ai.

Çmim vjetor për gazetari në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve ka fituar gazetarja e RTK-së, Kaltrina Rexhepi me dokumentarin “Fëmija nënë”, edhe Festim Kabashi nga RTK ka fituar çmim me dokumentarin e titulluar “Ndëshkimi.

Çmim ka fituar edhe gazetarja e Kohës Ditore, Edona Kutleshi, me hulumtimin “Rrugës së rrezikshme malore për t’u shkolluar”, kurse gazetarja e Kallxo.com, Emirjeta Vllahiu ka fituar çmimin me hulumtimin “Shtesa prej 10 euro nuk mbulon shpenzimet esenciale për rritjen e fëmijëve”.

Një çmim e kanë fituar edhe grupi i autorëve me hulumtimin “Ne mes dëshirës dhe pamundësisë për shkollim”.