KDI harton rregullore kundër ngacmimeve seksuale në punë

03.05.2018 14:56:35

Instituti Demokratik i Kosovës thekson se Kosova vazhdon të jetë vendi me papunësinë më të lartë në rajon, ndërsa gratë dhe të rinjtë janë më së shumti të prekur nga gjendja e rëndë në tregun e punës.

KDI përmes një komunikate për media thekson se krahas mos respektimit të Ligjit të Punës, dhe shkeljes së të drejtave të punëtorëve, diskriminimet në baza gjinore në vendin e punës ndikojnë negativisht në përmirësimin e gjendjes aktuale të tregut të punës.

“Andaj me qëllim të eliminimit të çdo lloj diskriminimi në baza gjinore dhe për krijimin e një ambienti pune të lirë dhe të barabartë për të gjitha gjinitë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka hartuar një rregullore kundër ngacmimeve seksuale, duke mundësuar krijimin e një mekanizmi që do të ndihmon në parandalimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës”, thuhet në njoftim.

KDI iu bënë thirrje dhe i fton t’i bashkohen kësaj iniciative të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare për hartimin e politikave të brendshme të cilat garantojnë një ambient pune të barabartë dhe të lirë për të gjithë, pavarësisht dallimeve gjinore.