KDI: Kuvendi jo efektiv në sesionin pranveror

07.10.2016 13:59:07

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin e rregullt të monitorimi të Kuvendit për sesionin pranveror 2016. Vështirësitë me të cilat është ballafaquar Legjislatura e V-të e Kuvendit kanë qenë të shumta, ndonëse më shumë të natyrës politike.

Sipas KDI-së, inatet e akumuluara gjatë konstituimit të Kuvendit dhe krizës politike të atëhershme, kanë reflektuar edhe përgjatë vazhdimit të mandatit.

“Kundërshtimi i Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kanë mbizotëruar në diskutimet e deputetëve, edhe pse asnjëra prej këtyre dy marrëveshjeve nuk ka qenë zyrtarisht për shqyrtim në seanca plenare. Zgjedhja e Presidentit, si rrallë në ndonjë vend, është shoqëruar me hedhje të gazit lotsjellës në seancë duke u pasuar me arrestimet e deputetëve të subjekteve opozitare. Punimet e Kuvendit në pjesën më të madhe të sesionit janë bojkotuar nga opozita. Mbledhjet e komisioneve parlamentare ku kryetarët kanë qenë nga opozita, gjatë periudhës së bojkotit janë udhëhequr nga zëvendëskryetarët”, konsideron KDI-ja.

Gjatë periudhës raportuese, Instituti Demokratik i Kosovës ka vërejtur se puna e komisioneve parlamentare nuk ka qenë shumë produktive.  “Bojkotimi i mbledhjeve të komisioneve nga partitë opozitare ka ulur dukshëm konstruktivitetin e debatit dhe ka ndikuar në mbarëvajtjen e mbledhjeve, pasi që në mungesë kuorumi 19 mbledhje kanë dështuar të mbahen. Komisionet parlamentare kanë mbajtur gjithsej 223 mbledhje të rregullta dhe 13 dëgjime publike. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015 janë mbajtur më pak 63 mbledhje të rregullta dhe 19 dëgjime publike”, konsideron KDI, duke pohuar se edhe seancat plenare nuk bëjnë përjashtim, ngase volumi i tyre krahasuar me periudhat e mëhershme ka pësuar rënie për rreth 39 pwr qind.

“Në këtë sesion janë mbajtur 14 seanca plenare. Në vitin 2015, në sesionin pranveror, Kuvendi kishte mbajtur 23 seanca plenare apo 9 më shumë. Numri i vogël i seancave ka ulur produktivitetin e punës së Kuvendit. Kuvendi i ka zhvilluar punimet pa miratuar një plan të punës, siç parashihet me Rregullore. Është shënuar diskrepancë midis asaj se çfarë kishte planifikuar Qeveria te sillte në Kuvend dhe çfarë në të vërtetë dorëzoi”.

“ Prej 87 projekt-ligjeve të premtuara në Kuvend erdhën vetëm 23. Gjithsej programi legjislativ i Kuvendit ka përmbajtur 135 projektligje, duke u bazuar në planet e punës të miratuar nga komisionet. Nga këto projektligje, në sesion pranveror janë miratuar 35 ligje (25.9%), në procedurë të komisioneve parlamentare kanë mbetur 20 projektligje (14.8%) përderisa 80 (59%) të tjera nuk janë dorëzuar ende në Kuvend nga Qeveria. Sfiduese për Kuvendin vazhdon të mbetet inicimi i legjislacionit. Kuvendi ka ndërmarrë vetëm një nismë ligjore. Duhet theksuar se një projektligj tjetër që është bartur nga viti i kaluar ka qenë iniciativë qytetare. Të gjitha projektligjet tjera të shqyrtuara janë të sponsorizuara nga Qeveria”.

Me qëllim të përmirësimit të punës së Kuvendit dhe rritjes së efikasitetit, KDI jep rekomandimet e mëposhtme:

Buxheti t’i nënshtrohet debatit parlamentar dhe konsultimeve me publikun

Të bëhet konsolidimi i ligjeve

Të bëhet rregullimi i procedurave të përshpejtuara për miratim të ligjeve në Kuvend

Zëvendësimi i ministrave të votohet nga Kuvendi

Të parashihen sanksione për rastet e mos miratimit të raporteve të institucioneve të pavarura nga Kuvendi

Krijimi i Ministrisë Pa portofol për Marrëdhënie me Kuvendin

Hartim i planit të punës së Kuvendit.