Zbutet dënimi për Stresin

07.10.2016 14:07:39

Gjykata e Apelit ka zbutur dënimin për reperin shqiptar Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi.

Nga 2 muaj burg që i kishte caktuar Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit i caktoi sot 18 muaj shërbim provë Stresit.

Çështja ka lidhje me dënimin që mori reperi në shtator 2015 për “mosbindje të urdhrit të policisë”.

Këngëtari Arkimed Lushaj ose i njohur me pseudonimin “Stresi” u arratis në muajin janar të vitit 2015 nga ambientet e një komisariati policie pas ndalimit që i kishte bërë policia për shkak se drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Stresi ishte ndaluar nga uniformat në gjendje të dehur duke shkelur rregullat e qarkullimit ku gjatë ndalimit ka kundërshtuar efektivët e policisë.

Pas shoqërimit në komisariat, ai është hedhur nga dritarja e katit të dytë ndërsa më pas ka humbur gjurmët. Mësohet se në ato momente Stresi po merrej në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore.