KE: Shkaku i veteranëve mashtrues, Kosova mund të humbë kreditë nga FMN

16.10.2016 15:12:48

Kosova gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 ka shënuar rritje ekonomike në vlerën e 3.8 për qind. Këto të dhëna janë paraqitur sot në publikimin e fundit të Komisionit Evropian. Sipas këtij raporti në vend janë rritur investimet private si dhe konsumi privat.

Por ky komision, tërheq vërejtjen se çështja e benefiteve të veteranëve të luftës mbetet një çështje shqetësuese, me implikime në pagimin e huas së planifikuar të FMN prej 100 milionë euro, e planifikuar për dhjetor, si dhe përkrahjen e vazhdueshme buxhetore të BE-së.

“Buxheti i 2016-tes ka mbledhur fillimisht 25 milionë euro për prezantimin e benefiteve të veteranëve të luftës, bazuar në 13.000 marrësit e llogaritur, ndërsa numri aktual është 28.000 dhe në rritje”, thuhet në raport.

KE në raportin e saj shkruan se numri aktual i veteranëve të certifikuar është 46.230, me një pjesë të madhe të tyre që janë të pranueshëm për benefite (ata që nuk kanë të ardhura tjera).

“FMN pret që kostoja e skemës së benefiteve në vitin 2016 të arrijë 88 milionë euro, që është shumë më shumë se shuma e mbledhur në fillim prej 60 milionë euro. Nëse skema aktuale e certifikimit dhe benefitet mbahen financiarisht, atëherë implikimet për buxhetin mund të rriten deri në 100 milionë euro në baza vjetore”, thuhet në raport.

Ndërkaq, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një postim të tijin në rrjetin social Facebook,  thotë se pagat në Kosovë janë rreth 400 euro, sipas tij në sektorin publik janë rreth 16% më të larta në se pjesën tjetër të ekonomisë, transmeton gazeta Fjala.

Ndërkohë që Komisioni Evropian vlerëson se qarkullimi industrial është rritur me 8% gjatë pjesës së parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkaq, qarkullimi në miniera dhe energjetikë u rrit me 33.7% dhe 14.2% respektivisht. Prodhimi u rrit me 2.3%. Sipas KE buxheti në muajt në vijim do të ketë rritje të vazhdueshme.