KEDS i bën kallëzim penal avokatit që fitoi rastin e punëtorëve të larguar nga puna

16.12.2016 10:08:17

Kompania turke, KEDS ka bërë kallëzim penal për Nasuf Hasanin, avokatin mbrojtës të punëtorëve të larguar nga puna.

Inspektorati i Punës ka konstatuar në dy shkallë se punëtorët e KEDS-it janë larguar kundërligjshëm nga puna dhe është konstatuar se ka pasur largim kolektiv nga puna, gjë që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Hasani pas vendimit të shkallës së dytë të Inspektoratit ka dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës vendimin për përmbarim, dhe ka kërkuar kthimin në punë të punëtorëve.

Hasani thotë për lajmi.net se kallximi penal që i është bërë nga KEDS-i është tentim për ta frikësuar që të mos merret më me rastin e mbrojtjes së punëtorëve.

“Unë e konsideroj më shumë si tentim për të më firkësuar për punën që  e kam bërë dhe që pothuajse kam fituar në të gjitha rastet. Kjo nuk më demotivon aspak, madje më detyron edhe më fuqishëm të merrem me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thotë Hasani për lajmi.net.

Hasani bënë një paralele në mes largimit nga puna të shqiptarëve në kohën e Ish-Jugosllavisë dhe tash KEDS-i.

“Edhe Serbia i ka larguar me të njëjtin pretekst prindërit tanë nga puna, dhe atë ka bërë largime kolektive. Shihni cfarë thotë vendimi i Inspektoratit dhe analizoni, është njëjtë si në kohën e Serbisë. Nuk dallojnë aspak edhe largimet që po i bënë KEDS-i. 93 punëtorë të larguar përnjëherë nga puna, është largim kolektiv që e ka thënë edhe Inspektorati në vendimet që i ka lëshuar. Largimet kolektive nga puna janë të ndaluara në botën normale, sepse janë shkelur të drejtat e njeriut”, thotë Hasani.

“Jam i gatshëm të ballafaqohem me fundërrinat e KEDS-it të cilët kanë vendosur ta largojnë punëtorin që ka punuar në këtë ndërmarrje që nga viti 1974 e që po i terrorizojnë të punësuarit dhe po shkelin të drejtat e njeriut me largime kolektive nga puna. Unë e kam prit këtë kallëzim penal, sepse më ka çuar porosi drejtori i KEDS-it se do të bëjë padi, por aspak s’më bënë përshtypje, nuk më frikësojnë”.

Lajmi.net kishte raportuar se drejtori i KEDS-it George Karagutoff, kishte thirrur në takim kryetarin e Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova, Hysni Gashin, duke i thënë se mund të përballen me padi, bashkë me përfaqësuesin e tyre ligjor, Nasuf Hasanin, sepse janë duke kërkuar kthimin e punëtorëve në punë.

Kjo kishte ndodhur menjëherë pasi Hasani ka dërguar në përmbarim vendimin e Inspektoratit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova, Hysni Gashi, thotë për lajmi.net se Hasani është avokat ligjor i kësaj sindikate, dhe i ka të gjitha autorizimet ligjore.

Ai ka thënë se  është jo serioze dhe e paarsyeshme një veprim i tillë i menaxhmentit të KEDS-it.

“Nasuf Hasani është përfaqësues juridik dhe ligjor i punëtorëve të KEDS-it të cilët janë anëtarë të Sindikatës së Pavarur Elektrokosova”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

“Nuk e di për çfarë arsye është bërë ai kallëzim penal, pasi Hasani është avokat zyrtar. Më duket e paarsyeshme dhe shumë jo serioze nga menaxhmenti i KEDS-it. Ky mund të jetë edhe një tentim për t’i frikësuar edhe punëtorët”.

Ndryshe Inspektorati i Punës ka marrë vendim që 93 punëtorë të larguar nga KEDS-i të kthehen në punë, për shkak se ka konstatuar se largimi i tyre ka qenë i kundërligjshëm.

Deri më tani vendimin nuk e ka zbatuar KEDS, ndërsa pritet që Gjykata Themelore e Prishtinës, ta detyrojë kompaninë turke që t’i rikthejë në punë të larguarit.