KEDS-i hyn kundërligjshëm në prona private, prokuroria ngrit aktakuzat e para

17.10.2016 14:02:51

Dy zyrtarë të KEDS-it kanë aktakuzë nga Prokuroria e Gjilanit për shkak të hyrjes në pronë private kundërligjshëm.

Avokati i Popullit përmes një raporti që ka bërë, kërkon  nga Prokuroria dhe ZRRE-ja që t’iu dal në mbrojtje qytetarëve dhe ta ndalojë hyrjen e kundërligjshme të KEDS-it nëpër prona private.

Dy zyrtar të KEDS-it do të përballën me ligjin, pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë për hyrje në pronë private pa autorizim.

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it, B. B. dhe V. H, që kishin hyrë në një pronë private kundërligjshëm në janar të këtij viti, raporton lajmi.net.

Prokuroria në një përgjigje për lajmi.net thotë se kushdo që hyn në një pronë pa autorizim, është e kundërligjshme dhe sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Ju informoj se nëse personat zyrtarë të çfarëdo institucioni pa autorizim ose në mënyrë të kundërligjshme hyjnë në banesa private ose në objekte të mbyllura të personit tjetër, veprimi i tillë konsiderohet vepër e kundërligjshme, e sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si cenim i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria sqaron se do të veprojë konfrom autozimeve ligjore që ka, kur paraqiten raste të tilla.

“Andaj Prokurori i Shtetit ka vepruar dhe do të veproj, konform autorizimeve ligjore që ka, nëse  paraqiten raste të tilla, të cilat duhet të paraqiten në prokurori nga palët që e konsiderojnë vetën të dëmtuar”.

Sipas prokurorisë deri më tani ka pasur një rast kur Prokuroria ka ngritur aktakuzë për hyrje në pronë private kundërligjshëm.

“Deri më tani kemi pasur vetëm një rast të tillë, ku më 29.01.2016, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, kundër të pandehurve: B. B. dhe V. H., që të dy zyrtarë të KEDS-it.  Kundër këtyre dy të pandehurve është ngritur aktakuzë, pasi që të njëjtit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre kanë bërë kontrollimin e kundërligjshëm të shtëpisë së një të dëmtuari, në atë mënyrë që pa leje apo urdhëresë të organit kompetent dhe pa pëlqimin e konsumatorit, kanë hyrë për kontroll, brenda shtëpisë së të dëmtuarit, për të kontrolluar dhe vërtetuar se konsumatori a është duke e keqpërdorë energjinë elektrike.  Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale: Kontrollimi i kundërligjshëm, nga neni 201 parag.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Kryeprokurorisë së Kosovës.

“Prokurori i Shtetit pret që çdo person, i cili e konsideron vetën të dëmtuar nga veprime të tilla, ta paraqet rastin në prokurori, në mënyrë që prokuroria të veproj sipas autorizimeve ligjore që ka”.

Ndërsa Avokati i Popullit ka publikuar një raport më 18 korrik të këtij viti lidhur me kontrollet e paautorizuara të KEDS-it në pronat private dhe hapësirat e banimit të konsumatorëve, i cili është bazuar në ankesa të qytetarëve lidhur me këtë çështje.

“Qëllim i këtij raporti është njoftimi i Prokurorisë së Shtetit për pretendimet lidhur me kontrollet e paautorizuara në pronat private dhe hapësirat e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, si dhe tërheqja e vëmendjes së KEDS-it, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut”.

Në raportin e Avokatit të Popullit thuhet se pas pranimit të një ankese është kërkuar nga KEDS që ta ndalojë praktikën e hyrjes në pronë private.

“Avokati i Popullit, menjëherë pas pranimit të ankesës nga ankuesi i parë, më 29 janar 2016 pati kërkuar nga KEDS-i vendosjen e masës së përkohshme, me të cilën rekomandohej pezullimi i aktiviteteve të KEDS-it në kontrollimin e banesave, për shkak se kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës në privatësi. Më tutje, Avokati i Popullit dhe drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, kanë pasur korrespodencë, për të cilën janë mbajtur të njoftuar me kopje edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, nga të cilët, Avokati i Popullit nuk ka pranuar asnjë reagim”, thuhet në raport, raporton lajmi.net.

Më tej Avokati i Popullit ka kërkuar që prokuroria të kryej hetime rreth mënyrës se si KEDS ka kryer kontrolle nëpër prona private.

“Avokati i Popullit ka analizuar dispozitat e ligjeve, rregullave dhe procedurave të cilave u referohet KEDS-i dhe ka konstatuar se, kundrejt pretendimeve të kundërta – të ankuesve në njërën anë dhe në anën tjetër KEDS-it, si palë përgjegjëse -mbetet kompetencë e prokurorive përkatëse për të kryer hetime, rreth mënyrës se si KEDS-i i ka kryer kontrollet nëpër pronat e konsumatorëve. Avokati i Popullit ka rikujtuar se kontrollet në objektet private për dyshime të veprave penale mund të bëhen vetëm me urdhër gjyqësor nga ana e policisë, duke respektuar Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale Nr. 04/L-123, përkatësisht, në pajtim me nenin 105 dhe 108 të Kodit. Avokati i Popullit, po ashtu, rikujton se kontrollet e kundërligjshme janë të sanksionuara me nenin 201, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr.04/L-082”.

Avokati i Popullit kërkon nga Kryeprokurorit e Kosovës që të kërkojnë nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve përgjegjës të KEDS-it lidhur me kontrollet e paautorizuara nëpër shtëpi private.

“Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës të kërkojë nga prokuroritë kompetente themelore fillimin e hetimeve ndaj zyrtareve përgjegjës të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, lidhur me kontrolle të paautorizuara, nëpër hapësirat e banimit dhe të pajisjeve elektrike, që janë pronë e konsumatorëve”.

Në anën tjetër në ZRRE-së thonë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë, por theksojnë se hyrja në prona private bëhet vetëm më pëlqimin dhe prezencën e konsumatorëve.

“Deri më tani ZRRE nuk ka pranuar ndonjë ankesë të konsumatorëve për ndonjë rast kur punëtorët e KEDS kanë hyrë në objektet e banimit pa leje të konsumatorit. Në Procedurën për identifikimin dhe parandalimin e shfrytëzimit të paautorizuar të Energjisë elektrike, saktësisht në nenin 5 theksohet se: “Punonjësit e autorizuar për inspektim të shfrytëzimit të energjisë elektrike në objektin e konsumatorit kanë të drejtë të: a) hyjnë në objektet e banimit në prani dhe me pëlqim të konsumatorit, për të inspektuar mënyrën e furnizimit me energji elektrike nga pika matëse deri te pajisjet e energjisë elektrike. Ashtu siç është theksuar edhe në raportin e Avokatit të Popullit kjo procedurë është ende në fuqi dhe ndërmarrja është e obliguar që ta respektoj”, ka thënë për Lajmi.net zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj Bajrami.