Kërcënon Nikoliq: Nëse Kosova anëtarësohet në UNESCO, ndërpresim dialogun me Prishtinën

19.11.2016 10:17:53

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare konfirmon shtetësinë e saj dhe është një realitet të cilin nuk po mund ta kapërdijë presidenti serb Tomisllav Nikoliq, i cili ka deklaruar se do të ndërpriten bisedimet me Prishtinën nëse Kosova do të futet në UNESCO.

“Është e papranueshme që Kosova të jetë në UNESCO pa u biseduar në Bruksel. Në rast të një epilogu të tillë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, propozoj që të ndërpresim bisedimet me Prishtinën, dhe të ndihmojmë popullin tonë, që t’i ofrohet një jetë më e mirë se tash, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”, ka thënë Nikoliq, për të përditshmen serbe “Politika”, transmeton Telegrafi.

Presidenti serb ka thënë se duhet vazhduar presioni tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta mbajnë atë qëndrim dhe të pengojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, fitorja e Donald Trump në SHBA, i jep shpresë Serbisë së mund të ketë përkrahje ndërkombëtare.