Kërkesë urgjente nga AAK për Qeverinë, për ndërtimet pa leje

08.11.2016 16:06:27

Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve, e gjenë Kosovën pa dokumentet bazë të Planifikimit Hapësinor, si pasojë e mos zbatimit të Ligjeve, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Përderisa bota sot shënon 8 nëntorin si Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve,  ditë e cila ka për qëllim avancimin e interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit hapësinor e urban dhe të angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve, Kosova ende ballafaqohet me problematikën e zbatimit të Ligjeve që rregullojnë këtë fushë,  Ligjit për planifikim Hapësinor, Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, dhe Ligjit të Ndërtimit, thuhet në komunikatën për media të AAK-së.

AAK kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës, të merret seriozisht me problematikën e mbi 400 000 ndërtimeve pa leje, të zbaton Ligjet në fuqi, në mënyrë që Planifikimin Hapësinor ta trajtojë si veprimtari të vazhdueshme gjithpërfshirëse dhe proces qarkor me fazat përcellëse, si të profilizimit, të planifikimit të strategjisë, të zbatimit, të monitorimit, raportimit si dhe të vlerësimit të zhvillimeve të arritura, duke  respektuar normat dhe standardet ndërkombetare  të ndërtimit dhe planifikimit të qyteteve.