Kërkohet dorëheqja e zëvendëskancelarit austriak për shkak të Kosovës

12.02.2018 16:07:56

Europarlamentari gjerman, Bernd Posselt, ka kërkuar për dorëheqjen e zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, pasi në një deklaratë të tij vuri në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Sipas Posselt, zv.kancelari austriak është njeri i Putinit në Bashkimin Evropian

Austria është një nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhjetë vjet më parë. Ndërsa, deklarata e zv. kancelarit austriak ra ndesh me qëndrimin që Austria ka mbajtur karshi Kosovës.

Ai ka akuzuar kancelarin austriak se është njëri i Putinit që është spostuar si ‘kali i Trojës’ brenda Bashkimit Evropian.

“Njerëz të tillë janë si kali i Trojës i Putinit në BE, sepse Moska po bën gjithçka që mundet për të hedhur poshtë Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë gjermani.

Posselt, që për shumë vjet ka qenë raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ishte njëri nga nismëtarët e përkrahjes së pavarësimit të Kosovës.

Zëvendëskancelari Strache u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.

Deklarata se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, dhe një propozim prej tij për “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës, nxitën shumë reagime në Kosovë.

Madje, Vjena zyrtare u detyrua të distancohet prej deklaratave të tij. Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Strache.

“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Austria është një fakt i pakundërshtueshëm”, ka thënë zëdhënësja e ministres Karin Kneissl. “Dhe kjo njohje nuk mund të ndryshohet”.