Kërkohet hetimi i kodit zgjedhor për media

Kërkohet hetimi i kodit zgjedhor për media

29.05.2017 14:01:48

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi tryezë diskutimi “Zgjedhjet dhe përgjegjësia e mediave në këtë proces”, me ç’rast u kërkua hartimi i një kodi zgjedhor për media si dhe themelimi i Asociacionit të Mediave Profesionale.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, tha se duke parë se çfarë po ndodh në rajon dhe botë është çështje parësore të diskutohet për parandalimin e lajmeve të rreme.

“Në të kaluarën kemi parë, sidomos në zgjedhjet e fundit, ku pa pasur raportime shpeshherë të pakonfirmuara të cilat kanë nisur një lloj konfuziteti në opinion ndërkohë që ato lajme janë shpërndarë në medium të ndryshme. Kemi pasur lajme të pakonfirmuara, lajme të cilat janë shpërndarë në media të ndryshme.”, tha ai.

Më tej Hysenaj tha se është rritur dukuria e profileve të rreme në mediat sociale e njëherit është rritur edhe rreziku që mediat në Kosovë të bien pre e tyre,  e që shpeshherë qëllojnë të jenë profile të kundërshtarëve politik.

Për këtë arsye Hysenaj tha se kërkohet përgjegjësi e plotë e mediave gjatë kohës së fushatës zgjedhore e poashtu edhe në ditën e zgjedhjeve.

Agron Bajrami kryeredaktor i “Kohës Ditore” tha se ky diskutim mund të jetë i vonuar,  pasiqë fushata veç  ka kohë që ka filluar dhe se për fat të keq, siaps tij, një pjesë e mediave janë të përfshira si pjesëmarrëse të fushatës e jo si vëzhguese.

“Unë fatkeqësisht mund të them se Komisioni i Pavarur i Mediave në hapat e parë sivjet I ka bërë disa gabime, që për mua janë pjesë e problemit. Gabime që ndihmojnë që problem të rritet e jot ë zvogëlohet.  Nuk ekziston kurrfarë monitorimi dhe rregullimi I sektorit për fushatën, vetëm ka përpjekje përmes disa urdhëresave të pazbatuara për me ndalu në vend se me e rregullu. Kësaj radhe do të kemi një situatë më të rëndë pasiqë shumë media tashmë janë hapur në shërbim të partive”, u shpreh ai.

Ai madje kërkoi që në këto zgjedhje të hartohet një kod zgjedhor për media, me shpresë se ai do të jetë funksional kur të vijë koha për zgjedhjet lokale.

Edhe Jeta Xharra nga ‘Jeta në Kosovë’, tha se ato që u thanë në këtë takim janë çështje të cilat duan zgjidhje të shpejtë.

Ajo nga KPM-ja kërkoi që të disiplinojë partitë politike që këto të fundit të mos kërkojnë hapësira jashtë rregullave. Ndërkaq nga kolegët e saj gazetarë, Xharra kërkoi që t’i bashkohen në presionit që po iu bënë kandidatëve për kryeministra, që të dalin përballë njëri- tjetrit në një debat televiziv.

Ajo tha se vetëm frika nga humbja e debatit mund të jetë arsyeja e mospërballjes së tyre në debatin për kryeministër.

“Në debat momentalisht po frikësohen të dalin kryesisht dy kandidatët kryesorë për kryeministër dhe ata nuk janë në presion nga mediat për debat .Arsyet janë edhe më të vogla pse nuk duhet të frikësohen të dalin në debat pasiqë asnjëri prej  tyre nuk ka qenë kryeministër në 10-të vjetët e fundit. Do të thotë në rastin kur kanë barrë edhe më të vogël me mbajtë dhe po frikësohen të dalin në debat për kryeministër, kjo është e paarsyeshme.. Nuk ka asnjë arsyetim për ta, vetëm nëse është frika që e humbin debatin”, u shpreh Xharra.

Ajo kërkoi që përveç kësaj gazetarët të konfirmojnë informatat dhe opinionet që marrin deri në tri burime.

Laura Pula, Prokurore e Shtetit, tha se roli i Prokurorit të Shtetit është kyç në procesin e zgjedhjeve.

“Në kuadër të kësaj pune ne kemi hartuar procedura të standardeve të veprimeve tona me qëllim të veprimit të shpejt dhe efikas në ditën e zgjedhjeve. Edhe roli proaktiv i Prokurorit të Shtetit në bashkëpunim me policinë e Kosovës, me marrjen e informatave të sakta ne kemi reaguar dhe do të reagojmë si më parë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi se falë raportimit të saktë të gazetarëve dhe në bashkëpunim me policinë e Kosovës kanë arritur edhe të arrestojmë persona që kanë prishur rendin në zgjedhjet e kaluara.

Më tej, Pula tha se janë 100 prokurorë në ditën e zgjedhjeve dhe se do të kryejnë punën ashtu siç është paraparë në memorandum së bashku me ndihmën e gazetarëve.

Ndryshe, në këtë takim u tha se partitë duhet t’i përshtaten modeleve të mediumeve e jo të kërkojnë që mediumet t’iu përshtaten atyre.