Këshilli elektoral turk rrezon kërkesën e Erdogan

09.04.2019 17:34:59
Nuk do të ketë rinumërim votash në Stamboll, ndërsa në Ankara zyrtarizohet fitorja e socialdemokratëve. Në këtë mënyrë këshilli i lartë elektoral turk ka refuzuar kërkesën e presidentit të vendit Erdogan i cili pretendonte se krimi I organizuar ishte protagonist në 31 mini-bashkitë e Stambollit ditën e zgjedhjeve.

Këshilli i lartë elektoral në Turqi deklaroi se ka refuzuar kërkesën e presidentit turk Erdogan për rinumërim votash në 31 minibashki në Stamboll. Për liderin islamist, mini-bashkitë e humbura në zgjedhjet e 31 marsit ishin objektiv I krimit të organizuar dhe për këtë arsye kërkoi rinumërim votash. Një përpjekje e dështuar, pasi këshilli i lartë elektoral ra dakord për rinumërimin e vetëm 51 kutive të votimit të 21 nga 39 minibashki. Secila prej tyre ka 350 votues. Një vendim që ka shkaktuar zemërim në radhët e partisë së Erdogan. Zëvendës kryetari I AKP-së deklaroi se do të apelonte vendimin pasi sipas tij ishte I papranueshëm. Presidenti turk nga ana e tij këmbëngul se diferenca e votave mes dy kandidatëve, më pak e 15 mijë në një qytet me 10 milion votues, është shumë e vogël për ti lejuar opozitës të shpallë fitoren.

Por lajme të këqija për presidentin turk vijnë dhe nga kryeqyteti Ankara, ku dhe këtu fituan socialdemokratët. Pavarësisht denoncimeve për parregullsi nga partia e Erdogan, këshilli lartë elektoral zyrtarizoi fitoren e Mansur Javash.

Edhe pse ka marrë numrin më të madh të votave falë aleancës me partinë nacionaliste, Erdogan humbi Stambollin, Ankaranë dhe Izmirin – qytetin e tretë në Turqi. Disfata e tij ishte e qartë edhe në juglindje të vendit. Këtu mbështetësit e Partisë Filokurde Hdp rimorën minibashkitë që autoritetet turke ia kishin hequr nga duart për shkak të lidhjeve të supozuara me ata që Ankara i konsideron si terroristë të PKK-së.