Këshilli i Europës vulos zgjedhjet e 25 prillit: Votimi ishte i qetë dhe transparent, Shqipëria meriton hapjen e negociatave

22.06.2021 15:11:53

Pas OSBE edhe Këshilli i Europës ka njohur zgjedhjet e 25 prillit. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës për reporterët e KiE, zgjedhjet ishin të lira, të drejta dhe me standarde. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook u shpreh se raporti i PACE ka vlerësuar se votimi ishte i qetë, i sigurt dhe respektonte parimet për zgjedhjet demokratike. Balla tha se sipas raportit, këto zgjedhje janë nga më të mirat të mbajtura ndonjëherë duke filluar që nga zhvillimi i votimit elektronik e deri tek besimi i shtuar në procesin zgjedhor. Sipas deputetit socialist, raporti thekson se qeveria shqiptare i ka përmbushur angazhimet e saj në mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2021. “Raporti i PACE vlerëson se votimi ishte i qetë, i sigurt dhe korniza ligjore siguron respektin e lirive themelore dhe është një bazë e përshtatshme për zgjedhjet demokratike. Ecuria e fushatës, votimit dhe numërimit treguan se këto janë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë pas periudhës së tranzicionit. Raporti thekson se qeveria shqiptare përmbushi angazhimet e saj në mbajtjen e zgjedhjeve: Paqësore, të ndershme dhe në përputhje me standardet e përparuara”, u shpreh Balla.