Këshilltari i Haradinajt: Nuk jemi kundër Amerikës që s’po e heqim taksën

29.01.2019 19:03:29

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se janë të gatshëm që ta heqin vendimin për taksën menjëherë nëse do të plotësohen kushtet të cilat kreu i Qeverisë ua ka treguar sot shteteve të QUINT-it përmes një letre.

“Ne kemi interes ta heqim taksën, kur të plotësohet kushtet që kryeministri u ka dërguar vendeve të QUINT-it. Asnjëra nga këto kërkesa nuk është e pa plotësueshme. E kemi provuar qe 10 vjet në Bruksel, me fotografi e kurtuazi, por asgjë nuk është bërë përveç fotografive e provokimeve”, ka thënë Arifi në T7.

Sipas tij është e drejtë sovrane e Kosovës që të marr një vendim të tillë.

“E drejta për vendosjen e taksës i takon një shteti sovran”, është shprehur zyrtari i Qeverisë.

Ndërkohë sa i përket rezistencës Haradinaj karshi kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës, Arifi thotë se një gjë e tillë nuk do të thotë që janë kundër Amerikës, por vetëm se ndajnë një mendim të ndryshëm.

“Kur ke një opinion tjetër, nuk je kundër njëri tjetrit. Gjithmonë do të ketë njerëz që mendojnë ndryshe.  Ne e ndajmë të njëjtën rrugë më SHBA-të’, është shprehur ai.

E njohësi i çështjeve në vend, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se vendimi për taksën nuk duhet të hiqet pa nënshkrimin e ndonjë garancie, në të kundërtën sipas tij një heqje e këtij vendimi pa kushte do të kishte pasoja për Kosovën.

“Me vendosjen e taksës Serbia e bllokoi dialogun, por Serbia po e kushtëzon dialogun me taksën, gjë që nuk duhet të ndodh. Taksa nuk duhet të hiqet pa nënshkrimin e një garancie, përndryshe do të ishte një vendim shumë i dëmshëm”, është shprehur Mushkolaj.

Në debat është folur edhe për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj. Arifi ka thënë se kjo qeveri është duke shkuar shumë mirë, dhe se nuk do të arrijë ta rrëzojë vetëm një person i vetëm.

“Për momentin qeveria është duke shkuar shumë mirë. Kërkujt nuk i frikësohemi për rrëzimin e Qeverisë. Kush mundet me rrëzu, unë nuk besoj që është një person, por shumë persona”, ka thënë Arifi.

Ndërsa Mushkolaj ka thënë se këtë qeveri mund ta rrëzojë kumbara i krijimit të këtij koalicioni, presidenti i vendit Hashim Thaçi.