Këta janë deputetët që do t’i hyjnë garës në zgjedhjet lokale

26.08.2017 18:30:53

Partitë politike tashmë kanë zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetar të komunave me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Në mesin e kandidatëve ka edhe disa deputetë që në zgjedhjet e përgjithshme më 11 qershor kishin siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik i cili ka kandiduar më së shumti deputetë me të cilët synon të fitojë nëpër komuna, shkruan lajmi.net

Driton Çaushi është kandidat i VV-së për kryetar të Gjakovës, Mytaher Haskuka për Prizrenin, kurse Sami Kurteshi do të synojë të marrë frontin në Gjilan.

Deputeti tjetër Faton Topalli do të garojë për të parin e Ferizajt, Qendron Kastrati në Kamenicë dhe Sali Salihu do t’i hyjë garës që të jetë kryetar i Vitisë.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës ka disa emra që janë kandiduar që të garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit.

Zenun Pajaziti do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Hajdar Beqa për Gjakovë, kurse në Ferizaj PDK-ja synon të fitojë me Agim Aliun.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale do të garojë me vetëm një deputet dhe atë në komunën më të rëndësishme.

Bëht fjalë për Prishtinën, ku kjo parti do të synojë të rikthehet si e para me deputetin dhe ish-ministrin, Arban Abrashi.

Kurse, Nisma për Kosovën e ka kandiduar për kreytar të Prizrenit deputetin, Zafir Berisha i cili ditë më parë u shpreh i bindur se do të dalë i pari.

Garës për kryetare do t’i hyjë edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Kjo e fundit edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga ky post pasi u zgjodh deputete, ka vendosur që të garojë për edhe një mandat në Gjakovë.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndonjë deputetë që do t’i hyjë garës për kryetarë të komunave, edhe pse deri në fund Daut Haradinaj u përmend si emër për  Deçanin.

Se a do t’i braktisin ulëset e Kuvendit këta deputetë, do të kuptohet pas zgjedhjeve të 22 tetorit.