Kjo është arsyeja pse kërkohet heqja e imunitetit për dy deputetët

26.12.2017 17:07:33

Prokuroria i kërkoi KQZ ndërprerjen e mandatit për dy deputetë Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, si subjekt të ligjit për dekriminalizimin.

Rakipi deputet i PDIU-së dhe Rehovica i LSI-së akuzohen nga prokuroria se kanë përdorur emra të tjerë në Itali, ndërsa akuzohen për vjedhje.

Të dy deputetët prej muajsh ishin nën hetim nga Prokuroria në lidhje me dekriminalizimin, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit parlamentare, Rehovica është vënë nën hetim edhe me akuzën e konsumimit të elementëve të veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

Në legjislaturën e kaluar, Rehovica dhe Rakipi dhanë shenjat e gishtërinjve në organin e akuzës pas dyshimeve se kishin pasur probleme ligjore jashtë vendit, por nën emrat të tjerë. Më konkretisht dyshimet ishin për dy vende, Italinë dhe Zvicrën, por për të dy deputetët gjatë legjislaturës së kaluar nuk pati kërkesa për ndërprerje mandati nga organi i akuzës.