Kjo është java më vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë

20.03.2017 09:25:35

Maqedonia ende është në pritje të qeverisë së re e cila pritet prej 11 dhjetorit të vitit 2016, atëherë kur u mbajtën edhe zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.

Qeveria teknike është thuajse e jashtëligjshme pasi disa nga ministrat janë edhe deputetë aktualë dhe kjo bie ndesh me ligjin për zyrtarët publik dhe me ligjin për zgjedhje.

Nga ana tjetër pushteti lokal është me afat të skaduar dhe pritet amini i Kuvendit për zgjedhje të reja.

Kuvendi në fjalë është në udhëkryq, duke pritur guximin e shumicës së re parlamentare që të ulen në ulëset e Kuvendit dhe të zgjedhin kryetarin e ri.

Kryetari në ikje, Trajko Veljanoski, ka caktuar për nesër seancë konsultuese të komisionit për emërime dhe zgjedhje për të rifilluar procesin e shtëpisë ligjvënëse.

Nesër poashtu, vjen edhe eurokomisioneri Johannes Hahn i cili pritet të ”dridh” partitë politike për të përshpejtuar vendimarrjen.

Qytetarët dhe mbështetësit e OBRM-PDUKM-së janë në rrugë duke protestuar për, siç thonë, mbrojtjen e Maqedonisë.