Kjo është pasuria e Milaim Zekës

06.06.2019 21:29:02

Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë ditës së sotme ka filluar publikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik të Kosovës.

Në deklarimin e pasurisë që deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion, del se ai edhe mund të quhet milioner, shkruan lajmi.net.

Në këtë deklarim, Zeka ka gjashtë banesa, një shtëpi dhe mal, truall dhe tokë.

Por jo e tërë kjo patundshmëri e tij është e gjitha pronë e tij, shumica e kësaj patundshmërie është pronë e përbashkët.

Shtëpi prej 200 metra katror, në bazë të deklarimit, Zeka e ka të trashëguar që nga viti 1985 dhe vlera e saj është 100 mijë euro, ndërkaq kjo është pasuri e përbashkët.

Mal, tokë e truall 10 hektar edhe kjo është trashëgimi e përbashkët dhe vlera e saj është 100 mijë euro dhe është e trashëguar që nga viti 1985.

Një banesë prej 62 metra katror është blerë me kredi në vitin 2007 dhe vlera e saj është 85 mijë euro dhe kjo banesë është pronë e Milaim Zekës, shkruan më tutje lajmi.net.

Po ashtu edhe një banesë prej 200 metra katror është blerë nga shitja e një shtëpie dhe e kursimeve në vitin 2011 dhe vlera e saj është 170 mijë euro, ndërkaq Zeka ka deklaruar se kjo banesë është pronësi e përbashkët.

Po ashtu në pronësi të përbashkët është edhe një banesë tjetër me 200 metra katror që është blerë me paratë e shitjes së një shtëpie në vitin 2015 dhe vlera e saj është 140 mijë euro.

Edhe një banesë tjetër që është pronësi e përbashkët me 126 metra katror është blerë nga shitja e shtëpisë dhe kursimeve në vitin 2015 dhe vlera e saj është 80 mijë euro.

Edhe një banesë në vlerë prej 200 mijë eurove me 200 metra katror, Zeka ka deklaruar se është blerë nga të ardhurat personale dhe kursimeve nga puna që ka bërë në Evropë dhe Amerikë dhe se kjo banesë është pronë e përbashkët.

Po ashtu një banesë prej 100 metra katror, Zeka ua ka blerë fëmijëve të tij në vitin 2013 dhe kjo banesë është blerë nga të ardhurat personale dhe kursimet e që është pronë e fëmijëve të tij.

Zeka posedon në emrin e tij dy vetura, një të tipit “Opel Zafira” që e ka blerë në  3 mijë euro në vitin 2009 dhe një tjetër veturë “BMW X1” në vitin 2010 nga të ardhurat personale dhe kursimet që kap vlerën e 10 mijë eurove, e që edhe kjo veturë është pronë e tij.

Sa i përket parave të gatshme, deputeti Zeka nuk qëndron keq. Ai ka deklaruar se ka 25 mijë euro para të gatshme në njërën prej bankave në Kosovë.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij ka plotë 29 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë.

Sa i përket të ardhurave vjetore, Zeka ka deklaruar se nga Kuvendi i Kosovës merr pagë vjetore prej 23 mijë e 727.98 euro.

Ndërkaq për pagesën e emisionit “Pa Rrotlla”, në Televizionin Publik të Kosovës, nga viti 2009 deri më 2017, ai ka deklaruar se ka marrë 65 mijë euro.