Kjo turiste iu shpëtoi tri sulmeve terroriste

18.08.2017 20:09:30

Julia Monaco (26) nga Melburni i Australisë ishte duke bërë shopping me një shoqe të saj kur furgoni u përplas me kalimtarët në Las Ramblas të Barcelonës.

Kjo nuk ishte e parë që ajo u përball me sulme terroriste, pasi që edhe më herët qëlloi në dy qytete të tjera ku ndodhën sulme të ngjashme.

Në qershor, ajo kishte qenë në Urën e Londrës kur një terrorist hyri në mes të turmës dhe sulmoi me thikë. Disa ditë më vonë, turistja australiane ishte në Notre Dame të Parisit kur një polic u ther me thikë jashtë katedrales.

Julia rrëfen për tmerrin kur ajo ishte kyçur në një dyqan në Las Ramblas të Barcelonës.

“Papritmas ne u bllokuam në një dyqan dhe konfuzioni nisi të përhapej ndër njerëzit. Sekondën tjetër ne e kuptuam se po vraponim për të shpëtuar jetët tona në anën e prapme të dyqanin ku ne na u tha që të shtriheshim përtokë larg nga dritaret dhe sa më rrafsh me tokën të ishte e mundur”, tha ajo për Radio-stacionin australian 3AW.

Monaco thotë se nuk do të kthehet në shtëpi dhe se do të vazhdojë të vizitojë qytete tjera në Evropë, ku ajo ndodhet si turiste tash e tre muaj.