KMDLNJ vazhdon monitorimin e burgjeve, ndërtohen burgje më shumë se që ka nevojë Kosova

15.09.2016 14:30:05

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka shprehur shqetësime për numrin e të burgosurve që shfrytëzojnë beneficionet, atyre që lirohen nga Paneli për Lirim me Kusht si dhe mungesës së Ligjit për Amnisti më gjithëpërfshirëse.

Këto shqetësime janë bërë publike gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të KMDLNJ-së me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës për monitorimin e Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese ku mbahen personat e privuar nga liria, qoftë të paraburgosur apo në vuajtje të dënimit.

Në një njoftim për media thuhet se ky memorandum është vazhdim i bashkëpunimit shumëvjeçar, që ka për qëllim përmirësimin e trajtimit të personave të privuar nga liria, përmirësimin e kushteve për oficerët korrektues dhe përgjegjës të tjerë.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për avancimin e mënyrave alternative të dënimit që në Kosovë zbatohen pak sikur edhe për fuqizimin e Njësisë ekonomike e cila funksionon thuaja simbolikisht.

 

“KMDLNj ka vërejtje gjithashtu edhe për ekspanzion të ndërtimit të burgjeve të reja që janë të kushtueshme dhe në shpërputhje të madhe me nevojat e Kosovës, të cilat pastaj mbesin të zbrazura dhe mirëmbajtja e tyre është shumë e kushtueshme dhe si shembull e theksoi Pavijoni për Dëshmitarë të Mbrojtur me kapacitet mbi 100 vende kurse tani, dhe disa vite më parë nuk ka asnjë të akomoduar”, vazhdon njoftimi.

Më tej thuhet se KMDLNj është e interesuar që të fuqizohen mekanizmat monitorues vendor që me rekomandimet e tyre do të ndihmonin edhe personat e privuar nga liria sikur edhe personelin zyrtar.