Knut Fleckenstein nis vizitën në Tiranë: Axhendë e vështirë dhe bisedime serioze

21.02.2017 10:02:56

Raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku do të qëndrojë për një vizitë treditore. Eurdeputeti gjerman, përmes një postimi në Twitter e ka cilësuar të vështirë axhendën e vizitës së tij të radhës në Shqipëri.

Një ditë më parë, në një intervistë për Deuche Velle, Fleckenstein u shpreh se qëllimi i vizitës së tij në Shqipëri ishte e trefishtë.

“…Së pari Parlamenti Europian sapo ka miratuar raportin e përgatitur prej meje. Për mua është e rëndësishme të flas me të gjithë aktorët aty, si shoqërinë civile ashtu edhe në politikë për të diskutuar për ato që thotë parlamenti. Këtë e pason qëllimi i dytë, natyrisht zbatimi konkret i reformës në drejtësi, kaq e rëndësishme për vendin, me qëllim që në vjeshtë të fillojmë, me shpresë, bisedimet e anëtarësimit. E treta lidhet me pritshmëritë tona lidhur me zgjedhjet, e në këtë kontekst do të kem me vete edhe rekomandimet e ODHIR-it”, – u shpreh ai.