Koalicioni LDK-AKR-ALternativa, i fortë si në ditët e fillimit të tij, tha Mustafa

23.08.2017 18:24:30

Pas pretendimeve të shumta se AKR do të dal nga koalicioni me LDK-në dhe do të bashkohet me PAN, flet kryetari i LDK-së dhe njëherit kryeministër i Kosovës Isa Mustafa.

Në një postim në profilin e tij në facebook pas takimit me Bexhet Pacollin, Isa Mustafa thotë se Koalicioni LDK-AKR-Alternativa është i fortë sa në ditët e fillimit të tij, ndërsa për diskutimet se AKR mund të bashkohet me PAN, Mustafa thotë se janë keqinterpretuar orientimet shtetëformuese të AKR-së.

Mustafa tha se beson shumë në kompetencën për qeverisje të njerëzve të partnerëve të koalicionit, dhe tha se ka dhe mundësi bashkëpunimi në zgjedhje lokale. /fokusi.org/

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

“Koalicioni i LDK-së me AKR-në si dhe me Alternativën është i fortë sa në ditët e fillimit të tij. Qëndrimet e shprehura për tu krijuar qeveria e vendit, janë shprehje e orientimeve shtetformuese të partnerëve tanë dhe këtë LDK nuk e kupton si orientim për thyerje të marrëveshjes së koaliconit dhe perspektivës sonë të përbashkët strategjike.
LDK, jo vetëm në nivel parlamentar por edhe në zgjedhje lokale do të bashkëpunoj ngushtë me AKR-në në shumë komuna si dhe me Alternativën, atje ku gjejmë interes të përbashkët. Besoj shumë një njerëzit e AKR-së dhe në kompetencën e tyre për qeverisje. Sikurse që besoj se Alternativa do të jetë vlerë shtuese e demokracisë sonë. Ne ndajmë orientime dhe synime të përbashkëtë për vendin, krijojmë sinergji për suksese që i nevojiten Kosovës. Këtë bindje e kisha edhe sot nga takimi miqësor me z. Behxeht Pacoli.”