Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën ia hap rrugën Serbisë për në BE

23.08.2017 18:59:09

Serbia do t’i bashkohet BE-së atëherë kur i plotëson të gjitha kriteret për anëtarësim.

Kështu ka thënë në një intervistë për Telegrafin serb, David McAllister raportues për Serbinë në Bashkimin Evropian.

Ai është i bindur hapja e kapitujve të rinj në negociatat mes Serbisë dhe BE-së do të jetë e mundur në fund të këtij viti, transmeton lajmi.net.

I pyetur se a po pret BE-ja që Serbia ta njoh Kosovën, McAllister duke i ikur pyetjes direkte ka thënë se dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdoj dhe ky proces t’i normalizoj marrëdhëniet.

“Kuadri negociues kërkon angazhim të vazhdueshëm drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën. Ky proces gradualisht duhet të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me aftësinë për të ushtruar plotësisht të drejtat e tyre”, ka deklaruar McAllister.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve është në favor të popullit të Serbisë dhe Kosovës po ashtu është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Nisma e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të nisur një dialog të brendshëm për Kosovën më inkurajon në këtë drejtim”.