Koci: Ju tregoj unë kush është Stankoviq, patologu që bashkëpunoi me Mlladiqin

16.02.2017 21:01:00
Avokati Arianit Koci, i cili e mbron kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj ka treguar se kush është patologu serb, Zoran Stankoviq i cili ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë kundër Haradinajt në Francë.
“I njëjti, me datën 25 prill 2016, në Tribunalin e Hagës, ka qenë dëshmitar i mbrojtjes së kriminelit të luftës, Ratko Mladiq. Ish gjenerali i Jugosllavisë, Stankoviq, gjatë dhënies së dëshmisë së tij në Hagë, ka pohuar se në varreza masive në Srebrenicë, janë trupat e ushtarëve të vdekur, e jo të viktimave civile boshnjake”, ka thënë Koci.

Tutje ai ka thënë se Prokuroria e Tribunalit të Hagës, gjatë marrjes në pyetje, patologun Stankoviq e ka ballafaquar edhe me një audio-incizim, në të cilin, ai si nënkolonel i Ushtrisë Jugosllave, e informon gjeneralin Mlladiq në vitin 1995, se si duhet t’i shmangët aktakuzës së Hagës, e cila po i përgatitët.

“A mundet një individ, i cili e mohon krimin më të madh pas luftës së dytë botërore, Srebernicën, të jetë dëshmitar kredibil?”, pyet Koci.

Sipas tij, propaganda e pushtetit serb, me tërë kapacitetet e saja, i është vërsulur Haradinajt, e nëpërmjet tij, edhe krejt Kosovës.

“Fatkeqësisht mentaliteti dhe propaganda millosheviqiane, është ende prezente te disa udhëheqës serbë”, ka shkruar në fund Koci.