Koha po “punon” për armiqtë: FSK të armatoset, Ushtria të formohet

27.01.2017 18:56:31

Republika e Kosovës nuk ka ushtri të saj dhe pikërisht mungesa e një strukture të tillë të sigurisë ditëve të fundit ka shtuar shqetësimet tek qytetarët dhe tek analistët. Sipas tyre, situata në Kosovë është e brishtë dhe pranë krize.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova duhet ta formojë ushtrinë e saj dhe se ajo duhet të pajiset me armatimin e duhur.

“Është humbje kohe të merremi me atë se si do të quhet ushtria jonë. Situata nuk është për t’u nënvlerësuar, sepse gjendja në kufirin Kosovë-Serbi është e brishtë. Si kurrë më parë, që nga përfundimi i luftës e deri më sot, do të duhej urgjentisht të armatoset Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të fillojë së funksionuari me të gjitha kapacitet operacionale. Në asnjë rrethanë nuk do të duhej të kishte pengesa për avancimin dhe armatosjen e saj. Nuk është e rëndësishme forma, por përmbajtja. Quajeni si të doni, por armatosja është jetike për sigurinë e Kosovës”, ka vlerësuar Islami.

Sipas tij, inatet personale e klanore duhet të lihen anash, pasi është “koha e fundit për unitet”.

“Të mos presim derisa serbët të binden që me dy të tretat e votave të ndërrohet ligji. Koha po punon për armiqtë tanë, prandaj duhet të ngutemi”, ka thënë Islami.

Edhe deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, ka thënë se një shtet duhet ta ketë ushtrinë si shtyllën kryesore të mbrojtjes së sovranitetit e të territorit.

“Aktualisht, përgjegjës kryesor për ruajtjen e territorit të Kosovës është KFOR-i. Por, një shtet është tamam sovran vetëm kur me forcat e veta e ruan sovranitetin e integritetin territorial. Sidoqoftë, në këto rrethana Kosova është me fat që e ka KFOR-in si garant të mbrojtjes. Mirëpo, kjo gjendje nuk është e përjetshme. Prandaj, na duhet ushtria”, ka thënë Qela.

Profesionistë apolitikë nga Kosova dhe nga diaspora kanë bërë thirrje për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Në thirrjen drejtuar presidentit të vendit, kryeministrit, ministrit të FSK-së dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ata kanë shprehur shqetësimet lidhur me zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë, duke marrë parasysh ekspozimin e territorit të Republikës së Kosovës ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Serbia.

Ekspertët kanë thënë  se buxheti aktual nuk është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e FSK-së. Buxheti i cili është ndarë për këtë institucion, gjatë këtij viti, është 51 milionë e 35 mijë e 617 euro. FSK-ja i ka 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.