“Kokaina që u kap në Kosovë ka pastërti 92%, në treg do hidhej trefishi i saj”

17.05.2021 23:07:35

Gazetari hulumtues nga Shqipëria, Artan Hoxha ka folur për rastin e konfiskimit të sasisë së madhe të drogës në Lipjan.

Hoxha thotë se droga e konfiskuar në Lipjan është e pastërtisë gati sa kristali.

“Kjo drogë e kalon pastërtinë e 92%, që është ndër pastërtitë më të mëdha të kokainës. Nuk do të ishte e mundur që ajo sasi të hidhej në treg ashtu. Pra nëse janë konfiskuar 400 kg kokainë të tillë, në treg do të hidhej trefishi i saj”, tha ai.

“Kjo pastërti e kokainës i lejon trafikantët ta zbusin drogën dhe ta bëjnë të absorbueshme për klientët, pasi pastërtia aq e madhe rrezikon jetën e përdoruesve të saj”.

Gazetari hulumtues megjithatë thotë se ky duhet të jetë një alarm për autoritetet e Kosovës pasi Kosova po kthehet në bazë operacionale për trafikantët.

“Për fat të keq tashmë është provuar se territori i Kosovës po kthehet në një bazë operacionale të grupeve kriminale që merren me narkotrafikun”.