Kolonel Ahmet Krasniqi, beteja e Koshares dhe përpjekjet për përvetësimin e saj

09.04.2017 22:34:03

Nga Rexhep Kastrati

Beteja e Koshares është beteja që bëri bashkë shqiptarët në një front të përbashkët kundër makinerisë ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Brigada 138 që ishte brigada që realizoi thyerjen e kufirit, është brigada që mban emrin e heroit të kombit Agim Ramadani, dhe që ishte pjesë e strukturave të FARK-ut dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, por që me këtë operacion arriti që t’i bënte bashkë të gjithë ata që qëllim kishin çlirimin e vërtetë të vendit pavarësisht nga oreintimet e tyre politike dhe ideologjike.

Rëndësia e betejës së Koshares ka filluar të pranohet nga të gjthë, edhe nga ata që më parë u munduan ta nënvlerësonin dhe madje dhe ta injoronin, sepse sa më shumë që po kalon koha, sa më shumë që po dalin në pah vlerat e organizimit institucional dhe profesional ushtarak në kohë të luftës, aq më shumë po kuptohet se kjo betejë, jo që nuk mund të nënvlerësohet dhe të injorohet, por është në panteonin e vlerave të luftës për liri dhe për shtetësi të Kosovës, e aftë që të jetë subjekt i çfarëdo rregullimi rajonal dhe më gjerë, dhe e aftë për të qenë pjesë e paqes dhe e stabilitetit rajonal dhe botëror.

Prandaj, duke mos mundur të nënverësojnë këtë betejë, filluan përpjekjet për ta përvetësuar atë. Dhe kaherë, pra jo vetëm këtë përvjetor, u bë një përpjekje që në planin e planifikimit, organizimit dhe të realizimit të saj, të ndërfuten edhe faktorë dhe aktorë që mund të mos kenë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me të. Kurse në këtë përvjetor u vërejtën dy tendenca të hapura: ajo e Hashim Thaçit për ta paraqitur si pjesë të operacionit që ai e quajti “Shigjeta”, kurse Rrustem Berisha mohoi çdo konjukturë politiko-institucionale në planifikimin dhe organizimin e saj. Dhe ky dallim ishte shumë i dukshëm, edhe pse asnjëra palë nuk e thanë të vërtetën. Është kështu, për faktin se Birgada 138, që më vonë u quajt Brigada 138 “Agim Ramadani”, ka qenë pjesë e strukturave organizative-ushtarake të Republikës së Kosovës, pra pjesë e FARK-ut.

Ajo që duhet të sqarohet dhe për të cilën duhet të thuhet e gjithë e vërteta ka të bëjë me faktin se plani për betejën për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar a ka qenë i ideuar dhe i skicuar nga ministri, kolonel Ahmet Krasniqi, apo thjesht nga shtabi i Birgadës 138, ashtu siç tha Rrustem Berisha? A është tradhtuar dhe vrarë kolonel Ahmet Krasniqi edhe për shkak të ideimit dhe skicimit të një plani të tillë, i cili më vonë do të rimerret nga shtabi i Brigadës 138, e që do të quhet “Agim Ramadani”?

Pavarësisht se cila është e vërteta, e cila do të dalë gjithsesi, duhet thënë se ka qenë e domosdoshme dhe reale të pritej që së paku emri i kolonel Ahmet Krasniqit të përmendej qoftë si ideator i thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, qoftë edhe si ministri dhe komandanti që kish vënë bazat e organizimit institucional-ushtarak.