Komentuesi ia kutjon 37 herë premtimin për Preshevën, Rama i bën “block” në FB (Foto)

28.01.2017 15:05:17

Ai është një banor i Luginës së Preshevës dhe ka mbajtur mend mirë një premtimin që Edi Rama ka bërë kur ishte në këtë zonë rreth dy vite e disa muaj më parë.

Kryeministri shqiptar bëri me dije në atë kohë se të dyja qeveritë ndanë 100 mijë euro për Shtëpinë e Lindjes në Preshevë. Në mbledhjen e parë të përbashkët, dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, firmosën një ndihmë prej 100 mijë eurosh për pajisjet spitalore për maternitetin e Preshevës.

Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ajo periudhë, duket se ende nuk është bërë asnjë gjë, ndaj qytetari i Preshevës i ka shkruar disa herë Ramës në Facebook, por ai jo vetëm që nuk i është përgjigjur, por edhe e ka bllokuar.

“Kam një shqetësim dhe dua të më ndihmoni. I kam bërë Edi Ramës për të 37-ën herë të njëjtën pyetje nëpër statuse dhe nuk më ka kthyer përgjigje. Më bëri edhe block. Do të doja t’ia bëja të njëjtën pyetje dhe kjo është e 38-ta herë që ia bëj: Zotri Kryeministër EDI RAMA, si po shkojnë punimet në ndërtimin e spitalit në Luginën e Preshevës?”.

Nuk e dimë se çfarë është duke u bërë me këtë premtim dhe me ato 100 mijë euro fonde, ama të paktën shpresojmë që Rama të mund ta lexojë dhe të mund t’i kthejë përgjigje pyetjes së qytetarit.