Ministrja Ekonomi në Stamboll, fton bizneset turke për të investuar në Shqipëri

28.01.2017 15:07:37

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi ka ftuar bizneset turke të investojnë në Shqipëri gjatë një forumi ekonomik mes dy vendeve, që u zhvillua në Stamboll në 27-28 Janar 2017.

“Turqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik për Shqipërinë në rajon dhe më gjerë. Por marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë garanton një bazë të mirë ligjore për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare dhe për të rritur potencialet për investime të reja” tha Ministrja Ekonomi në fjalën e saj në këtë forum. Ajo shtoi se aktualisht janë 453 biznese turke që operojnë në Shqipëri, në disa sektorë të ekonomisë, kryesisht në sektorin bankar, telekomunikacion, edukim, shëndetësi dhe sektori i energjisë. Ndërsa stoku i investimeve direkte turke në tremujorin e tretë të 2016 ishte 485 mln euro krahasuar me 451 milion euro për të njëjtën periudhë të 2015.

Ministrja Ekonomi në vijim njohu investitorët turq dhe me situatën ekonomike të Shqipërisë, duke shpjeguar se rritja ekonomike në 2016 ishte nga më të lartat në rajon, me një rritje të 3.4 % krahasuar me 2.6 % në 2015. Papunësia është ulur, ndërkohë që klima e biznesit është përmirësuar. Ajo shtoi se Shqipëria ka një kapital njerëzor shumë konkurues që tërheq investitorët e huaj, ka kosto të ulët të punës dhe cilësi të lartë forcës punëtore, të mirëedukuar në fusha si IT apo  inxhinieri.

Ministrja përmendi disa sektorë potencialë ku mund të investohet si energjia, minierat, turizmi, bujqësia, transporti, inovacioni etj. Kryesisht në sektorin e turizmit, ajo ftoi bizneset turke që të vijnë dhe të implementojnë modelet e tyre të suksesit veçanërisht në industrinë e strukturave akomoduese.

Forumi i  Biznesit: “Mundësitë për investime në Shqipëri”, u organizua nga Bordi Turk për Marrëdhëniet Ekonomike (DEIK) dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve AIDA. Në këtë takim, Ministrja shoqërohej nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.

Pas forumit Ministrja Ekonomi zhvilloi një vizitë në parkun ‘Yildiz Teknik UNI TechnoPARK’, një zonë e vendosur pranë universitetit, ku u njohën me disa biznese inovative me të cilëve dhe start-up, si dhe vizituan disa inkubatorë të biznesit.

Më tej u vijua me një vizitë në një zonë industriale IKITELLI, ku u pa nga afër kjo zonë e krijuar nga 1978, me një histori suksesi 35 vjeçare.

Bordi DEIK që bashkëorganizoi këtë forum, është përgjegjës për promovimin e tregtisë së jashtme dhe marrëdhënieve të investimeve të Turqisë, si dhe të promovimit të vendit për investitorët potencial. Pas një ristrukturimi që ka ndodhur në shtator të vitit 2014, të gjithë sektorët privatë dhe organet e biznesit në Turqi janë organizuar në varësi të DEIK. Pra DEIK sot, mund të flasë si një zë i vetëm i tregtisë se jashtme.