Komisioni Evropian flet për liberalizimin e vizave për Kosovën

24.03.2018 18:50:56

Pas tri viteve kundërshtimesh e përleshjes mes pozitës dhe opozitës, marrëveshja e demarkacionit u ratifikua të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, edhe pse pati përpjekje që të pengohet sërish përmes bllokimit të Kuvendit.

Kjo marrëveshje -e cila është ndër kushtet e BE-së për liberalizim të vizave, pritet të heqë regjimin e vizave për qytetarët në fund të vitit duke u bazuar në deklarimet e zyrtarëve qeveritarë.

Mirëpo, Tove Ernst, zëdhënëse për Migracion, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi në Komisionin Evropian në një përgjigje ka thënë se pas demarkacionit, Kosova duhet të forcojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ernst thotë se vlerësimi i procesverbalit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë deri në ditën e fundit kur autoritet kosovare dorëzojnë raportin për të.

“Në vitin 2016, Komisioni paraqiti propozimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën, me kuptimin se deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vlerësimi i procesverbalit në luftën kundër krimit dhe korrupsionin vazhdon edhe në ditën e informatave të fundit të nxjerra nga autoritetet kosovare”, thuhet në përgjigjen e saj.

Zëdhënësja në Komisionin Evropian është shprehur për Indeksonline se pasi të plotësohen kushtet propozimi miratohet nga parlamenti dhe këshilli.

”Pasi të plotësohen kushtet, propozimi i Komisionit duhet të miratohet formalisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli,” thuhet në përgjigje.

Ndërsa, sipas deklaratës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësueses së Posaçme të BE-së dhe Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë, ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore” thuhet në deklaratën e tyre.

Pas 9 orëve debat parlamentar për demarkacionit dhe 8 orëve përpjekje të nesërmen për ta votuar, kjo marrëveshje kaloi me 80 vota pro.