Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pritje për akreditim të vezhguesëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pritje për akreditim të vezhguesëve

07.09.2017 13:33:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të kërkesave për akreditimin e vëzhguesve për monitorimin e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor 2017.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Radio Kosovën se sikurse në zgjedhjet e kaluara, presin interesim të shtuar për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke konsideruar se vëzhgimi i procesit zgjedhor i kontribuon integritetit të procesit dhe rritjes së besueshmërisë te qytetarët, pret që subjektet politike, tanimë të certifikuara nga KQZ, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, si dhe ato ndërkombëtare, të cilat merren me zgjedhjet, të aplikojnë për akreditim të vëzhguesve në Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit, 2017.

Zyrtari për informim në KQZ, Valmir Elezi u shpreh se nga përvoja e mëhershme, presin interesim për kërkesa për akreditim. ”Sikurse edhe në të kaluarën, presim që në këto zgjedhje të kemi interesim për vëzhgim të Zgjedhjeve Lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e kaluara, të 11 qershorit 2017, pati akredituar rreth 30 mijë vëzhgues, të cilët kanë përcjellë procesin zgjedhor”.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu në një prononcim për Radio Kosovën, tha se tanimë janë gati për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit.

Kryeziu bëri të ditur se janë duke rekrutuar rreth 70 vëzhgues për monitorim të këtyre zgjedhjeve si dhe do të aplikojnë për certifikim brenda afatit të caktuar kohor.

”Ne jemi në proces të rekrutimit të vëzhguesve, dhe normalisht që afati kohor për akreditimin e vëzhguesve është deri më 21 shtator dhe ne do të aplikojmë me kohë. Po, jemi të gatshëm. Tanimë jemi të gatshëm në planin operacional për monitorimin e  gjithë procesit në të gjitha vendvotimet e Kosovës”.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për akreditim të mediave është data 6 tetor 2017, dorëzimi i kërkesës për akreditim të individëve në emër të organizatës është 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, deri më 21 shtator, ndërsa afati i fundit për dorëzim të kërkesës për akreditim të vëzhguesve të organizatave është 26 shtator, dhe afati për akreditim të vëzhguesve të organizatave për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve është deri më 2 tetor, 2017.

KQZ ka njoftuar se subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare të specializuara që merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja mund të dorëzojnë në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim kërkesën për akreditim të vëzhguesve për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit.