Kompanitë kosovare të naftës flasin për ‘vjedhjen e organizuar tatimore’

24.11.2016 21:54:44

Ndër 300 kompani kosovare të cilat kanë blerë fatura nga katër kompani fiktive duke iu shmangur pagesës së tatimeve në dëm të Buxhetit të Kosovës, më të përmendurat janë kompanitë që shesin derivate të naftës.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, në pjesën e dytë të  trilogjisë  ‘Vjedhja e Organizuar Tatimore’ sjell deklaratat e disa prej  kompanive të përfshira në këtë skemë, që janë ‘HIB Petrol’, ‘Petrol Company ‘ dhe   ‘Standard Benz’.

Kjo trilogji i kushtohet skemës së zbuluar nga inspektori tatimor Murat Mehmeti që kishte hetuar krijimin e katër kompanive fiktive në Kosovë me qëllim të lëshimit të faturave te më se 300 kompani reale që me këtë rast kanë bërë evazion fiskal.

Rreth skemës që kishte vazhduar për gjashtë vite , nga viti 2006 deri në zbulimin e saj në vitin 2012, Kompania ‘HIB Petrol’, thotë se ka kaluar afati ligjor i arkivimit të dokumenteve dhe rrjedhimisht nuk i posedojnë dokumentet e para gjashtë viteve.

“Duke pasur parasysh se jemi në vitin 2016 , sipas ligjit në fuqi, dokumentacionit në fjalë i ka skaduar afati i vlefshmërisë. Mu për këtë kompania, ‘HIB Petrol’ për shkak se nuk ka detyrim ligjor të ruajtjes së këtij dokumentacioni edhe nuk i ka arkivuar ato”, përgjigjet Kemajl Rushiti, Kontabilist në HIB Petrol.

Ndërkaq në Petrol Company thonë se me rastin e zbulimit të kësaj skeme ishte shkarkuar stafi i atëhershëm pasi kjo kompani ishte gjobitur në total afër 1 milion euro nga ATK-ja.

“Përvoja jonë me ATK-në , nëse do të duhej ta jepmin një notë nga 1 deri në 5, do të ishte 3”, përshkruan Shkëlzen Jusaj, pronar i kësaj kompanie.

Në anën tjetër, kontabilisti i ‘Standard Benz’, thotë se nuk ka qenë në dijeni se kompanitë kanë qenë fiktive dhe megjithatë kanë paguar dënimin e paraparë nga ATK-ja.

“Ne kemi vuajtur dënimin financiar dhe pagesën e tatimit në qarkullim dhe TVSH-së për faturat e Loni-Com, të cilat kanë qenë shitje me shumicë dhe me një marzhë të vogël, kurse inspektorët e ATK-së këto fatura të Loni-Com i kanë trajtuar si shitje me shumicë”, thotë Selatin Retkoceri.