Menduh Thaçi: Shqiptarët do ta dënojnë Ali Ahmetin, përmes votës

24.11.2016 22:06:22

Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, në prag të zgjedhjeve në Maqedoni, ka thënë në Zona e Debatit, në një intervistë ekskluzive, se Ali Ahmeti, rivali i tij politik dhe udhëheqësi i Bashkimit Demokratike për Integrim, do të dënohet përmes votës nga shqiptarët.

“Jam optimist që shqiptarët do ta dënojnë Ali Ahmetin dhe Gruevskin përmes votës, të cilët e kanë shndërruar Maqedoninë në një shtet të degjeneruar”, ka thënë Thaçi në Zona e Debatit, njofton Klan Kosova.

“Tashmë jemi 15 vite pas viti 2001 dhe kemi mungesë totale të rezultateve politike. Dhe kur mungojnë këto rezultate është e qartë që kryengritja nuk është bërë për t’i realizuar nevojat e shqiptareve”.

“Gruevski dhe Ahmeti kanë keqpërdorur shumë edhe ndjeshmërinë e ndërkombëtareve. Bashkësia ndërkombëtare ka qenë më tolerante ndaj Maqedonisë sesa vendeve të rajonit. Kjo tolerancë është keqpërdorur shumë”.

Sipas Thaçit, “zgjedhjet janë mundësia e artë që shqiptarët e Maqedonisë përmes votës ta ndryshojnë këtë gjendje”.

“Nëse nuk bëhet realitet kjo shpresë, situata do të përkeqësohet shumë”.

“Ahmeti ishte bashkëveprimtar i Gruevskit. Sa më shumë që shqiptarët deklarohen kundër tij, ai (Gruevski) rritë ‘rejtingun’ tek maqedonasit përmes një politike tejet nacionaliste”.

“Maqedonasit duhet të jenë të vetëdijshme që shkatërrimi i perspektivës dhe ekonomisë se Maqedonisë, do t’i godet vetë qytetaret e Maqedonisë”.