Kompensimi për ata që humbin jetën në vendin e punës bëhet 15 vjet pas vdekjes

09.02.2019 22:51:22

Veç në vitin 2018, 23 persona kanë humbur jetën në vendin e punës.

E familjarët e disa prej viktimave kanë ngritur edhe padi civili për të marrë kompensime për jetën e familjarit.

Mirëpo, një kompensim i tillë mund të zgjasë deri në 15 vjet. Por, për një vendim më të shpejt ka një propozim.

Ka një vit që kur babai i saj humbi jetën gjatë orarit të punës.

Babai i Armanda Salihut ra nga një lartësi prej 30 metrash derisa punonte në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ajo për T7 thotë se kanë ngritur padi civile për kompensim të mundshëm.

Mirëpo, ende janë në pritje. Sipas Armanda Salihut pritja mund të vazhdojë me vite të tëra.

Sipas një rregulloreje të hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në rast të vdekjes kanë të drejtë në ndihmë solidare në lartësinë e dy pagave.

E në rast se punëdhënësi është fajtor për vdekjen e punëtorit, familjarët mund të ngritin padi civile, që mund të marrë shumë kohë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tregon për hapat që familjarët duhet ndjekur për të marrë një kompensim.

Jashari thotë se Gjykata për një vendim mund të vonojë deri në 15 vjet.

E për t’i evituar këto vonesa Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një zgjidhje.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndajë një shumë të caktuar, për familjarët e viktimave që humbën jetën në punë.

Mirëpo, Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për një çështje të tillë.

Vetëm gjatë vitit 2018, 23 persona kanë humbur jetën në vendin e punës.