Komuna e Prishtinës kërkon ndihmë nga qeveria, ndërsa akuzohet për keqmenaxhim të buxhetit për qentë endacakë (Video)

05.12.2016 21:34:05

Gjendja me qentë endacakë është vlerësuar alarmante dhe shteti duhet të reagojë së më shpejt që të jetë e mundur që të mos ketë më raste me fatalitet.

Gent Begolli, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka thënë në emisionin “Përballje”, të transmetuar në RTV Dukagjini  se për dallim prej komunave tjera Komuna e Prishtinës bën trajtim shumë të rëndësishëm për qentë endacakë.

Madje, sipas tij, ka raste kur qentë endacakë nga komunat tjera kanë ardhur në Prishtinë dhe është rritur numri i tyre.

“Pra duhet ndihma e Qeverisë se Qeveria nuk mundet me qenë Qeveri e një vendi tjetër e komuna e Kosovës. Pra, Qeveria është e Kosovës dhe duhet me ju ndihmi komunave të Kosovës”, ka deklaruar Begolli.

Por, Dafina Paca, ligjëruese dhe hulumtuesë në Universitetin  Cardiff ka thënë se Komuna e Prishtinës duhet të jetë më transparente sa i përket menaxhimit të buxhetit për qentë endacakë.

Sipas saj deklaratat e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti për gjendje emergjente janë të pa dobishme sepse  duhet të kenë parasysh shumë aspekte e të mos zgjidhet kjo me Facebook.

“Kryesisht buxhetin që e ka komuna asnjë cent nuk e ka deklaru se ku e ka shpenzu. 150 mijë euro ia ka dhanë Harilaqit kurrë s’ka raportu çka po ndodhë”, ka thënë Paca në emisionin “Përballje”. /Telegrafi/