Xhavit Drenori: Sonte flas për një atentat në tentativë në Drenas

05.12.2016 21:32:43

Xhavit Drenori, i cili kandidoi si i pavarur për kryetar të Drenasit, ka paralajmëruar se sonte për herë të parë do të tregojë për një atentat në tentativë që ndodhi të dielën në Drenas.

Drenori, i cili mori 12 për qind të votave, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, nuk ka dhënë më shumë detaje, në postimin e tij në Facebook, lidhur me këtë rast.

Ai do të flas në Interaktiv të KTV-së edhe për rezultatin e zgjedhjeve dhe balotazhin.

Xhavit Drenori, kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit mbrëmë befasoi shumëkë në Kosovë, por jo edhe qytetarët e Drenasit, pasi që arriti të dalë i treti në zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke marrë mbi 12 për qind të votave.

Ai la pas tre kandidatë të partive tjera, duke përfshirë këtu kandidatin e LDK-së dhe atë të AKR-së.

Drenori i vetëm grumbulloi 2519 vota, shkruan lajmi.net.

Drenori si asamblist i PDK-së nuk pranoi që Ramiz Lladrovci të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar, prandaj zgjodhi që të kandidonte i pavarur, duke e ditur se ka mbështetje të madhe te qytetarët.