Komuna e Prishtinës: Mjeku kërcënon drejtorin e Shëndetësisë, prokurori e liron

01.02.2017 16:13:33

Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media njofton se Arsim Gashi, gjinekolog në QMF në lagjen Dardania, është larguar përkohësisht nga puna për shkak të papërgjegjësisë së vazhdueshme në ushtrimin e detyrës, shkeljes së normave të punës, si dhe kërcënimit direkt serioz që ia ka bërë drejtorit të QKMF-së në Prishtinë Rrezart Halili.

Siç thuhet në një njoftim të komunës drejtori i QKMF-së, këtë kërcënim e ka denoncuar në Polici.

“Pas vendimit, Gashi ka filluar kërcënimet edhe ndaj Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, z. Arben Vitia, dhe ky i fundit dy herë i ka denoncuar këto kërcënime në stacionin nr. IV të Policisë. Policët e këtij stacioni e kanë marrë me shumë seriozitet rastin. Por, prokurori Musa Mehaj, në të dy rastet e ka liruar me procedurë të rregullt kërcënuesin Arsim Gashi, pavarësisht faktit se kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme karshi z. Vitia. Duhet theksuar se rasti i dytë i denoncimit ishte kur Gashi ai ka shkuar në zyrën e drejtorit Vitia dhe ka kërcënuar përsëri duke lënë “porosi” tek asistentja e zyrës”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

“Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit “ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo”. Edhe pas këtij rasti, z. Arben Vitia ka njoftuar Policinë, dhe përsëri prokurori i rastit e ka liruar kërcënuesin Arsim Gashi”.

Përkundër kësaj siç thuhet në reagim me tri denoncime për kërcënim brenda një jave, edhe për sulm fizik, prokurori i rastit ka vendosur që ta lë të lirë kërcënuesin dhe sulmuesin.

“Prej rastit në rast, kërcënuesi Arsim Gashi veç e ka rritur dozën e kërcënimit, duke bërë edhe sulm fizik, e duke paralajmëruar edhe gjakderdhje. Një prokuror i tillë si Musa Mehaj, që nuk ndërmerr masat e duhura në kohë, është përgjegjës për çfarëdo pasoje të radhës në këtë çështje. Në një shtet të mirëfilltë e ligjor, ai prokuror qysh sot do të ishte duke u ndjekur penalisht”, thuhet në reagim.