Komunikatë: Dega e LDK-së në Zvicër me vendim për përsëritjen e kuvendeve të nëndegëve dhe të degës

29.11.2016 21:27:39

Kryesia Degës së LDK-së në Zvicër, në mbledhjen e mbajtur, më 26 nëntor 2016, kishte për rend të ditës – Vendimet e kryesisë së LDK-së për përsëritjen e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e Degës së LDK-së në Zvicër, gjegjësisht organizimi i zgjedhjeve nëpër të gjitha nëndegët e saj.

Pas një debati të gjerë dhe mjaft konstruktiv të anëtarëve të kryesisë, kryesia vendosi me shumicën e votave (një ishte kundër), që të përkrahet dhe të respektohet vendimi i organeve drejtuese, të Kryesisë së LDK-së për përsëritjen e zgjedhjeve nëpër nëndegë. Ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me Kryesinë e Degës së LDK-së, të mandatit para kuvendit të anuluar nën udhëheqjen e kryetarit Haki Latifi. Dhe që, nëndegët të mbajnë kuvendet zgjedhore deri në fund të shkurtit 2017. Pas përfundimit të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet, Kuvendi zgjedhor i Degës do të caktohet në koordinim me komisionin mbikëqyrës të Kryesisë Qendrore të LDK-së gjatë muajit mars 2017.

Anëtarët e kryesisë u tha në këtë mbledhje, gjatë gjithë procesit të Degës së LDK-së në Zvicër dhe të gjithë nëndegëve, duhet ta shoqëroj fryma bashkëpunuese, komunikimi i urtë dhe tolerant e gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet e organizimit duke respektuar statutin dhe rregulloren për zgjedhje në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër. Mbledhjen e karakterizoi edhe bindja se, vetëm me angazhimin serioz, të përbashkët dhe të gjithmbarshëm të anëtarëve të kryesisë dhe veprimtareve të devotshëm të LDK-s, mund të arrihen vlerat e dëshiruara politike, integruese, intelektuale dhe kombëtare, ashtu siç i ka promovuar presidenti historik i LDK-së dhe i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Solothurn, 28 nëntor 2016

Sektori për informim