Konfiskohen 88 kilogramë marihuanë në një automjet në Veles

09.09.2016 18:58:50

Sektori për Punë të Brendshme Veles pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra paraprakisht, realizoi një rast të tregtisë së palejuar, me ç’rast konfiskoi mbi 88 kilogramë drogë narkotike marihuanë.

Siç njofton MPB më datën 6 të këtij muaji në orën 19:50 në aksin Veles – Fshati Bashinë rreth 100 m prej pompës së benzinës është ndaluar një automjet motorik “Volksfagen vento” me targa të Kumanovës i drejtuar nga S.A. (37) nga Shkupi, ndërsa pronë e F.F. Pas ndalimit të automjetit nga nëpunësit policorë në sediljet e pasme janë gjetur dy valixhe, ndërsa në bagazhin e automjetit, janë gjetur tre çanta me materie barishtore. Nga nëpunësit policorë për ngjarjen menjëherë është njoftuar prokurori publik dhe nga gjykatësi për procedurë paraprake është marrë urdhër gojor për bastisjen e automjetit.

Gjatë bastisjes së automjetit në sediljen e pasme në dy valixhet janë gjetur 84 paketime në qese plastike me materie barishtore, ndërsa në bagazh në çanta janë gjetur gjithsej 94 paketime me materie barishtore gjegjësisht gjithsej në automjet janë gjetur 178 paketime më të mëdha me materie barishtore.

Pas ekspertizës së bërë është përcaktuar se materia barishtore paraqet drogë narkotike marihuanë në sasi të përgjithshme prej 88,771 kilogramë.

Nga ana e gjykatësit në procedurë paraprake S.A. i është caktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.