Korrupsioni po pengon përmirësimin e cilësisë së arsimit

26.01.2017 20:24:20

Korrupsioni në sistemin e arsimit në Kosovë po e pengon në masë të madhe përmirësimin e cilësisë në këtë sektor, u tha në një konferencë të organizuar nga zyra e BE-së në Prishtinë në bashkëpunim me institucionet vendore.

Për të përmirësuar këtë gjendje, është lansuar edhe projekti nga Këshilli i Evropës dhe MASHT-i, objektivi i të cilit është forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë.

Zëvendësshefi i Seksionit të Operimeve në zyrën e BE-së, Libor Chlad, tha se rezultatet e PISA-s kanë qenë treguesi më i mirë për përfshirjen e korrupsionit në sistemin arsimor.

Kurse, zëvendësministri i Arsimit, Mevludin Krasniqi, tha se MASHT-i është i përkushtuar që ta përmirësojë këtë gjendje.

“Konsiderojmë se luftimi i korrupsionit dhe parandalimi i tij në sistemin e arsimit të lartë mund të bëhet vetëm përmes rritjes së bashkëpunimit, transparencës së proceseve, si dhe të llogaridhënies në institucionet publike dhe institucione të tjera të arsimit të lartë”, u shpreh Krasniqi.

Ky projekt pritet të përfundojë në fund të vitit 2018.