Kosnett nuk ishte në takim me ambasadorët e QUNT-it, a është ky mesazh për Kurtin?

29.01.2020 21:07:36

Pasditen e së martës, me ftesë të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, përfaqësuesit e shteteve të QUNT-it, kanë mbajtur takim me LVV-në dhe LDK-në.

Pasditen e së martës, në ambientet e Kuvendit të Kosovës është mbajtur takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesve të shteteve të QUNT-it.

Ky takim ishte mbajtur me ftesë të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, ai gjerman Christian Heldt, si dhe ambasadori italian, Nicola Orlando.

Ndërkaq, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, nuk ka marrë pjesë, por e ka dërguar Jessica Long, e cila është këshilltare ekonomike dhe politike në ambasadë, shkruan lajmi.net.

Ndërsa në këtë takim nuk ka marrë pjesë as ambasadori i Francës, por që ambasada e Francës u përfaqësua nga zëvendësambasadorja, Carole Blestel-Feffer.

Mirëpo, mospjesëmarrja e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett në këtë takim, po shihet nga njohësit e politikës si mesazh i qartë për Albin Kurtin.

Milazim Krasniqi, profesor universitar, ka thënë për lajmi.net, se mospjesëmarrja e ambasadorit Kosnett në takimin me LVV-në dhe LDK-në, është sinjal i qëndrimeve të Amerikës në këtë proces, por edhe për shkak të qëndrimeve dhe sjelljeve të Kurtit karshi SHBA-ve dhe ndërkombëtarëve.

“Mospjesëmarrja e ambasadorit Kosnett padyshim që është një shenjë, një sinjal lidhur me qëndrimin në distancë që janë duke e mbajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Arsyeja pse janë duke mbajtur distancë me siguri ka të bëj me disa mendime që ata kanë lidhur me mandatarin për qeverinë, pra me Albin Kurtin. Është një histori e gjatë e politikës së Kurtit e cila ka pasur elemente të një sjellje që ndoshta tek amerikanët ka lënë hapësirë për mosbesim dhe zhgënjim. E kjo besoj është parë edhe me qëndrimin e ambasadorin Grenell që ishte para disa ditësh në Kosovë, shihet edhe me mospjesëmarrjen e ambasadorit Kosnett në takim. Rezultati i kësaj për mendimin tim është që zotëri Kurti duhet t’i lexoj këto sinjale qartë dhe duhet sa më shpejt që të jetë e mundur ta ndryshoj qasjen e tij dhe t’iu jep shenja ose edhe garancione të një partneriteti lojal mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse vjen në krye të qeverisë”, u shpreh Krasniqi për lajmi.net.

Ai madje shprehet skeptik se Kurti mund të zgjidhet kryeministër, i cili tashmë edhe është mandatar për këtë post.

Krasniqi thotë se për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve të Kurtit ndaj Amerikës, edhe qeverisja e tij do të jetë e pasuksesshme pasi që siç u shpreh Krasniqi, pa Amerikën as nuk mund të ëndërrohet stabiliteti i Kosovës dhe as qeverisja e suksesshme.

“Në të kundërt, unë jam skeptik që ai e para që mund të bëhet kryeministër dhe e dyta edhe nëse bëhet, nuk do të mund të qeverisë me sukses për arsyen më të thjeshtë në botë, që dihet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sponsori kryesor i pavarësisë së Kosovës dhe garanti i pavarësisë së Kosovës që do të thotë se pa ta, as nuk mund të ëndërrohet stabiliteti i Kosovës dhe as qeverisja e suksesshme”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër, Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se mospjesëmarrja e ambasadorit Philip Kosnett në këtë takim është më shumë si mosndërhyrje në çështjet politike të brendshme për vet faktin se takimi mes ambasadorëve të QUNT-it dhe LVV-së e LDK-së, ishte vetëm takim informues.

Por, Fetoshi po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, deklaratat e mëparshme të Kurtit e Mustafës për mosndëryrje dhe presion të ndërkombëtarëve, është mesazh pse ambasadori Kosnett nuk ishte i pranishëm në këtë takim.

“Takimi me ambasadorët e vendeve të QUNT-it dhe shefen e Zyrës së BE-së u tha se ishte vetëm informues, prandaj mungesa e ambasadorit Kosnett mendoj që duhet të lexohet si mosndërhyrje, pra një pozicion neutral të cilin përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë potencuar vazhdimisht. Për shkak të Shteteve të Bashkuara, roli i ambasadorit Kosnett është pashmangshëm më ekspresiv në raport me politikën, prandaj nëse kemi parasysh deklaratat e mëhershme të z. Mustafa dhe z. Kurti për presionin ndërkombëtar, kjo e shpjegon mungesën e tij në takim”, u shpreh Fetoshi për lajmi.net.

Fetishi po ashtu ka theksuar se pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve vështirë se LVV-ja dhe LDK-ja do të mund të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, por në të njëjtën kohë, ai thotë se mospjesëmarrja e ambasadorit Kosnett në këtë takim, është mesazh për një zgjidhje tjetër për formimin e qeverisë.

“Përndryshe, në qoftë se vërtet nuk ka ndërhyrje të faktorëve ndërkombëtarë, vështirë se do të mund të arrihet marrëveshja e koalicionit dhe në këtë kuptim, mosprania e ambasadorit Kosnett mund të interpretohet edhe si mesazh për një zgjidhje tjetër në formimin e qeverisë. Megjithatë, jam i pirur të besoj se mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë i qartë që nga fillimi dhe dy partitë e para do të arrijnë të merren vesh”, theksoi Fetoshi.

Lajmi.net gjatë ditës ka dërguar edhe pyetje në ambasadën amerikane në Kosovë për të kërkuar një sqarim se cila ka qenë arsyeja që ambasadori Philip Kosnett nuk ka marrë pjesë në këtë takim, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.