Kosova bashkon politikën shqiptare, Rama: Duhet president gjithëkombëtar

18.02.2018 17:36:24

Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot një seancë solemne, në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë, ku ishin të pranishëm si të ftuar nderi liderët më të lartë të politikës shqiptare.

Rama, Meta, Basha dhe Berisha ishin ulur përkrah njëri tjetrit, ndërsa një fjalim të shkurtër mbajti vetëm kryeministri shqiptar.

Kreu i qeverisë theksoi se një dekadë më parë, pas thuajse një shekulli përpjekjesh, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike, duke u bërë shteti më i ri në hartën e Europës dhe të botës.

“Vetëm dy dekada më parë, premtimi i Pavarësisë së Kosovës ishte më shumë utopi sesa një objektiv i realizueshëm, por heronjtë e dalë nga gjiri i këtij populli bënë të pamundurën realitet. Kosova dhe Shqipëria janë dy vende formalisht të ndara, por tani më si pjesë e përbashkët e një rrëfimi historik dhe me një interes të përbashkët politik”, tha Rama.

Kryeministri u përqëndrua tek dialogu i vështirë i Prishtinës me Beogradin, duke thënë se edhe ky proces tashmë i domosdoshëm për t’u finalizuar, pas disa vitesh do të jetë thjesht një histori.

Por, ndër të tjera Rama propozoi edhe “bashkimin” me një President gjithëkombëtar dhe një politikë të përbashkët të sigurisë.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, deklaroi Rama.